Diplomati austriak Jan Kickert ka thënë në Gjykatën Speciale në Hagë, se ish-kryeministri Hashim Thaçi i kishte thënë se UÇK-ja është ushtri e rregullt, porse kjo nuk e kishte bindur. Ai gjatë dëshmisë së tij tha, po ashtu, se më 1998, si UÇK-ja ashtu edhe LDK-ja bënin lojëra politike. Për UÇK-në theksoi se mundohej ta paraqiste veten si faktor të painjorueshëm para ndërkombëtarëve.
Ish-sekretari i Ambasadës austriake në Beograd, Jan Kickert, është përballur nga Gjykata Speciale me deklaratat e tij që kishte dhënë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ai pati thënë se Hashim Thaçi i kishte thënë atij se janë ushtri e rregullt që zbaton Konventat e Gjenevës, që ndërlidhen me respektimin e të drejtës humanitare ndërkombëtare.
E para Gjykatës Speciale ai u shpreh se Thaçi nuk ia kishte mbushur mendjen se e kishte kapacitetin për ta kontrolluar UÇK-në.
“Pika 1 përsëri, paragrafi 27, fjalia tjetër në paragrafin 27 ka këtë përmbajtje dhe këtu citoj: në përgjigje, z. Thaçi theksoi se UÇK-ja do t'i respektojë konventat e Gjenevës, sepse UÇK-ja ishte ushtri e rregullt. - Këtu është fundi i citatit. Pyetja për ju është kjo, gjatë kësaj bisede apo edhe më vonë a keni pasur ju ndonjë dyshim që UÇK-ja ishte në gjendje t'i respektonte konventat e Gjenevës siç kishte thënë z. Thaçi?”, ka thënë Christoph Barthe, anëtar i trupit gjykues.
“Unë, nuk isha i bindur për vete, që UÇK-ja kishte një strukturë të tillë që një person të mund të kontrollonte të gjithë strukturën, të gjithë UÇK-në, pra të gjithë organizatën”, ka thënë dëshmitari Jan Kickert.
Barthe: A ia thatë këtë gjë z. Thaçi apo z. Veseli gjatë bisedës që patët me ta në korrik të ‘98-tës?
Kickert: Që kisha dyshime për qëndrimet e tyre? Jo, se nuk mund ta cenoja dot pozicionin tim.
Dëshmitari theksoi se nuk ishte në dijeni që UÇK-ja të ketë pasur njësi të inteligjencës, por se nuk do ta përjashtonte një gjë të tillë.
UÇK-ja dhe LDK-ja, sipas dëshmitarit, kanë bërë lojëra politike më 1998.
Dëshmitari u shpreh, po ashtu, se UÇK-ja përpiqej ta paraqiste veten si faktor të fortë para ndërkombëtarëve.
Kickert, i cili ishte i ambasador në Beograd dhe ishte i përfshirë edhe në takimet e Rambujesë, u pyet edhe për një foto të delegacionit shqiptar në Rambuje, në të cilën ishte i gërvishtur vetëm imazhi i Ibrahim Rugovës.
Dëshmitari Kickert, i cili një ditë më parë tha se ka logjikë që kjo mund të jetë shprehje e animozitetit të Krasniqit ndaj pjesëtarëve të LDK-së, të mërkurën mohoi se ishte në dijeni për fotografinë.
“Kur më është treguar kjo fotografi, nuk kisha dijeni se nga vinte”, ka thënë Kickert.
Mbrojtja mohon se kjo provë është gjetur në shtëpinë e Krasniqit dhe sipas saj, Prokuroria nuk mund ta vërtetojë se fotografinë e ka gërvishtur Krasniqi.
Edhe në paraqitjen e fjalës hyrëse të mbrojtjes së tij, avokatja Venkatesëari Alagendra deklaroi se ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka mbledhur materiale të shumta nga shumë palë që i kanë shërbyer për publikim të librave.