Doarsa Kica – Xhelili, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se mes partisë së saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje qëndron një “mur i palëvizshëm”.
Duke folur pas mbledhjes së kryetarit të Kuvendit me anëtarë të subjekteve politike për seancën konstituive të 15 prillit, Kica-Xhelili është pyetur për ftesën e Vetëvendosjes për takim dhe mundësinë për bashkëpunim për qeverisje. Ajo ka thënë se LDK-ja vazhdon të ketë qëndrimin që ka pasur para zgjedhjeve.
“Vlen të theksohet se qëndrimet e LDK-së të dhëna para zgjedhjeve kanë qenë edhe ofertë publike e LDK-së për të cilindo qytetar të Republikës së Kosovës që zgjedh të votojë për LDK-në. Dhe vlerësoj se në qoftë se një parti politike e ka shfaqur sheshit një hendek shumë të madh me VV-në, hendek i cili u shndërrua më pas në mur të palëvizshëm pas zgjedhjeve jo vetëm për shkak të diskursit të kryeministrit të vendit, por në përgjithësi për shkak të mënyrës se si ka qeverisur në katër vite. Prandaj vlerësoj se megjithëse kemi përsëritur, për mendimin tim mjaftueshëm gjatë, qëndrimin e LDK-së, e kuptoj dhe mirëkuptoj pyetjen tuaj meqë natyrshëm këto ditë po vërejmë shumë lëvizje të qëndrimeve të akterëve të ndryshëm të lidershipit të Qeverisë. Nga fjalët e thëna para dhe pas zgjedhjeve por kjo nuk qëndron edhe për LDK-në”, ka thënë ajo.
Sipas Kica-Xhelilit, qëndrimi i LDK-së se nuk hyn në koalicion me VV-në s’ka qenë i vendosur si kushtëzim, por si parim në vete.
Ajo po ashtu ka thënë se LDK-ja s’do të ketë takim të martën për t’iu përgjigjur ftesës së kryeministrit Albin Kurti për takim. Sipas saj “mund të ketë vetëm ftesa për emra të përveçëm, por që s’nënkupton që ka takim sot”. E takimin e nënkryetarëve me kryetarin e LDK-së e ka konfirmuar më herët gjatë ditës nënkryetari tjetër i LDK-së, Gazmend Muhaxhiri.
Kica-Xhelili ka thënë se letra e Kurtit i është drejtuar Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së dhe se mbetet tek ai që të kthejë apo të mos kthejë përgjigje.
“Kjo s’nënkupton asgjë në raport me qëndrimet tona karshi VV-së”, ka përfunduar ajo.