Ministria e Drejtësisë e Këshilli Gjyqësor janë përfshirë në një cikël akuzash e kundërakuzash për çështjet që lidhën me hartimin e pakove ligjore, që janë quajtur reformë e sistemit. Përfaqësues të Këshillit Gjyqësor e kanë lëshuar takimin e fundit shkaku që ministria e drejtësisë nuk pranoi që të çohej përpara ideja për ligjin për Statusin e Gjyqtarëve, e që parasheh beneficione shtesë për gjyqtarët, duke përfshirë edhe ato financiare
Rreth një vit qëkur Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial i nënshkruan zotimet për reformën në drejtësi, kanë nisur problemet në jetësimin e tyre.
Shkak është bërë kërkesa e Këshillit Gjyqësor për një ligj të veçantë mbi statusin e gjyqtarëve. Në Ministrinë e Drejtësisë thonë që aktualisht nuk pajtohen me këtë kërkesë, pasi që kjo kërkon analizë paraprake, përfshirë edhe analizën financiare.
Në draftin e ligjit, Këshilli Gjyqësor kërkoi për gjyqtarët pensione më të larta se sa për kontribuuesit e tjerë.
“Gjyqtarët gëzojnë pension të veçantë pas pensionimit, në lartësi prej 60 për qind të pagës të cilën e ka realizuar në momentin e pensionimit”, thuhet në draftin e paraqitur nga Këshilli Gjyqësor.
Bazuar në pagat aktuale, i bie që pas pensionimit një gjyqtar të ketë pension mbi 1 mijë euro apo katërfish më shumë sesa pensionistët e tjerë që kanë paguar kontribute.
Në Këshillin Gjyqësor kërkuan që gjyqtarët të kenë edhe sigurim shëndetësor e jetësor. Asnjërin prej këtyre sigurimeve nuk e ka asnjë kategori e punonjësve në Kosovë.
Në dokumentin e hartuar nga Këshilli Gjyqësor kërkohet që të ndryshohet edhe koha e pensionimit. Sipas tij, gjyqtarët mund të pensionohen edhe në moshën 60-vjeçare dhe të marrin 60 përqindëshin e pagës, por edhe të vazhdojnë të punojnë deri në moshën 67-vjeçare. E gjyqtarët e Supremes, edhe deri në atë 70-vjeçare.
Refuzimi që drafti të trajtohet ka bërë që Këshilli Gjyqësor ta lëshojë takimin e javës së shkuar, në të cilin pritej të diskutohej një pako e ligjeve për sistemin e drejtësisë.
Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se periudha prej dy muajsh për jetësimin e ligjit është kohë e shkurtër, teksa shtoi se me bllokimin në emër të këtij ligji vihet në pikëpyetje e gjithë reforma në sistemin e drejtësisë.
“Në situata të caktuara është potencuar edhe kushtëzimi i reformës me këtë ligj. Pra, nëse nuk do të votohet ky ligj dhe nuk do të kemi rregullim të statusit të prokurorëve e gjyqtarëve, sipas tyre, atëherë përfaqësuesit e këtyre dy institucioneve do të largohen nga reforma dhe kështu e kushtëzojnë këtë nismë të madhe reformuese”, ka thënë Nimoni.
Por në Këshill thanë se në deklaratën e zotimeve janë pajtuar që të përfshihej edhe statusi i gjyqtarëve dhe që si KGJK-ja ashtu edhe KPK-ja do të marrin pjesë në punën për ligje tjera, vetëm nëse përfshihen të gjitha temat për çka janë zotimet.
“Çfarëdo deklarimi i Ministrisë së Drejtësisë për kushtëzimin e reformës, e që lidhet me përmbajtjen e reformës, është i pavërtetë. Përndryshe, ligji për statusin e gjyqtarëve parashihet në Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe në Deklaratën e Përbashkët të Zotimit. Sa u përket praktikave të shteteve rajonale, një ligj të tillë e ka Republika e Shqipërisë dhe shumë vende të tjera të Evropës”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.
Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Gjykata Supreme dhe Ministria e Drejtësisë, vitin e shkuar e bënë zotimin se do të themelojnë grupe punuese për të fuqizuar kuadrin ligjor.