Arbëri

KGJK-ja e KPK-ja s’e vlerësojnë “kohë të duhur” shqyrtimin e dorëheqjes së serbëve

Institucionet e sistemit të drejtësisë nuk i kanë miratuar dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, të cilat janë bërë rreth një vit më parë. Kthimi i tyre në punë është kërkuar nga presidenti i Serbisë, e në KPK thanë se do ta shqyrtojnë secilën kërkesë për kthim, sapo të bëhet. E, mosmiratimi i deritashëm i dorëheqjeve, sipas njohësve të drejtësisë, është i ndikuar

Në nëntor bëhen dy vjet nga koha kur dhjetëra gjyqtarë e prokurorë serbë dhanë dorëheqje, duke ndjekur shembullin e policëve, deputetëve e të kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Por, dorëheqjet ende nuk janë shqyrtuar nga Këshilli Gjyqësor (KGJK) e as nga ai Prokurorial i Kosovës (KPK). 

Në KGJK thonë se vendimin për pranimin apo jo të dorëheqjeve do ta marrin kur të jetë koha e duhur. 
“Bazuar në kërkesën tuaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njofton të gjitha mediet dhe të interesuarit se mbetet pranë qëndrimit të mëhershëm të deklaruar se çështja e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe të administratës së komunitetit serb, do të shqyrtohet në momentin që KGJK-ja e vlerëson se është koha e duhur dhe sipas procedurës së përcaktuar për situata të tilla”, thuhet në një përgjigje me shkrim të KGJK-së.

Dorëheqjet nuk janë trajtuar as në KPK. Në këtë institucion thanë se do t’i trajtojnë edhe kërkesat për kthim në këtë institucion, nëse do të ketë. 

“Dorëheqjet e prokurorëve të komunitetit serb nuk janë trajtuar akoma nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe shtojmë se në momentin që ato trajtohen, do të jeni të informuar me kohë. Ju njoftojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga prokurorët serbë për kthimin e tyre në sistemin prokurorial dhe në momentin që ka kërkesa të tilla, KPK-ja do t’i shqyrtojë ato”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

Vonesat e tilla në shqyrtimin e dorëheqjeve, janë konsideruar të paarsyeshme nga njohës të sistemit të drejtësisë.

Hasan Shala, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit, ka thënë se Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial do të duhej qëmoti të shpallnin konkurs e t’i plotësonin vendet përkatëse.

“Ka pasur ndikim edhe politika, por edhe dikush nga jashtë. Është neglizhencë e Këshillit Gjyqësor, sepse është dashur të marrë vendim për ta, sepse ata publikisht janë deklaruar se janë dorëhequr dhe nuk dëshirojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ngase e kanë dëgjuar politikën serbe, më detajisht edhe vetë presidentin e Serbisë, Vuçiq”, ka thënë ai.

Javën e shkuar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar kthimin e zyrtarëve serbë të dorëhequr në postet e tyre. Thirrja e Vuçiqit është mirëpritur nga Bashkimi Evropian. 

Por, për Shalën, një mundësi e tillë është problematike. 

“Do të bëhet një precedent i madh se atëherë duhet të bëhet dallimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve serbë edhe në jug që nuk kanë dhënë dorëheqje, por kanë punuar edhe gjyqtarët e tjerë se ligji nuk i ndan në komunitete”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave nga Këshilli Prokurorial, janë gjithsej 32 serbë që kanë dhënë dorëheqje, prej tyre 10 prokurorë e 22 zyrtarë të stafit administrativ. 

E në gjykata, janë 144 të tillë: 25 gjyqtarë e 119 të punësuar të tjerë.

Mosveprimin nga ana e Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, nuk kanë pranuar ta komentojnë në Ministrinë e Drejtësisë.

Gjyqtarët dhe prokurorët serbë iu bashkuan zyrtarëve policorë e deputetëve serbë, të cilët dhanë dorëheqje nga postet e tyre në fillim të muajit nëntor të vitit 2022. Një veprim i tillë nga ta u mor në shenjë kundërshtie ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për ndalim të targave ilegale serbe.