Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, të martën përmes një komunikate për media ka thënë se hapja e Urës së Ibrit duhet të ndodhë vetëm përmes dialogut dhe në koordinim me ndërkombëtarët.
Kryeministri Albin Kurti sot gjatë një vizite në veri ka thënë se kanë kryer të gjitha procedurat për hapjen e urës, ndërsa tani po presin QUINT-in dhe KFOR-in.
Por misioni i NATO-s ka paralajmëruar se vendimi për hapjen e urës qendrore në Mitrovicë duhet të merret në dialog.
„Për çështjen e hapjes së mundshme të urës së lumit Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar“, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të KFOR-it.
Sipas deklaratës, KFOR-i do të vazhdojë të ketë prezencë të përhershme urë dhe të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth ndërsa ka njoftuar për aktivitetet që pati së fundmi mbi urë.
„Së fundmi, disa aktivitete trajnuese janë kryer nga personeli i KFOR-it në urë. Këto ishin pjesë e aktiviteteve tona të rregullta të krijuara për të testuar procedurat operacionale afatgjatë dhe për të ruajtur standardin më të lartë të gatishmërisë së trupave tona“, vijon deklarata.
Hapja e Urës së Ibrit është paralajmëruar tash e disa muaj nga Qeveria e Kosovës. Ndërkombëtarët e kanë kundërshtuar idenë, duke thënë se çështja e saj duhet të zgjidhet në dialog. Aktualisht, ura është e hapur vetëm për kalimin e këmbësorëve.