NATO-ja ka thënë se përgjegjësit për sulmin në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar, duhet që urgjentisht të sillen para drejtësisë.
Në një komunikatë të NATO-s, të mërkurën mbrëma, ku tregohet se komandanti Ozkan Ulutash ka takuar ambasadorët e NATO-s, thuhet se Serbia duhet të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për këtë rast.
“KFOR-i synon të sigurojë që sulme të tilla të mos përsëriten. Është e rëndësishme që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara, të cilat mund të nxisin tensionet, të rrezikojnë sigurinë ose të rrezikojnë ushtarët e KFOR-it. NATO-ja vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për të arritur zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e NATO-s.
Gjeneralmajori Oezkan Ulutash do të largohet nga posti më 11 tetor 2024. Ai do të pasohet nga gjeneralmajor Enrico Barduani, nga Italia.
