KFOR-i ka insistuar se çdo vendim për hapjen e Urës së Ibrit duhet të bëhet brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
KFOR ka thënë se njësitetet e saj mbajnë prani të përhershme dhe fikse në urë dhe do të vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri.
KFOR ka thënë se nuk do të hezitojë të reagojë ndaj asnjë zhvillimi që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë.
“Këtë mëngjes, komandanti i KFOR-it gjeneralmajori Ozkan Ulutash, është informuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë që do të ndodhë së shpejti. Njësitë e KFOR-it mbajnë një prani të përhershme, fikse në urë dhe vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për përfitimin e të gjitha komuniteteve. Ne nuk do të hezitojmë të përballemi me asnjë zhvillim që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke respektuar plotësisht mandatit tonë që buron nga OKB-ja. Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konstant gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të bëhet përbrenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë një vizite në veri të martën ka thënë se hapja e urës është çështje e vlerësimit të ekspertëve.