Arbëri

KFOR-i thotë se prania e shtuar në Urën e Ibrit ishte pjesë e trajnimeve

karabinier

Foto: KOHA

(19:53) - Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se të shtunën prania e shtuar e trupave të vet ka qenë pjesë e një trajnimi që e ka kryer në kuadër të testimit të procedurave të kahershme dhe për t’i mbrojtur standardet e larta operacionale.

Në një përgjigje për KOHËN, KFOR-i ka thënë se vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në dhe përreth urës mbi Ibër në Mitrovicë.

“KFOR-i po e monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe mbetet i vëmendshëm. Është i përgatitur mirë që të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar në përmbushjen e mandatit që buron nga Kombet e Bashkuara dhe për t’iu përgjigjur ndonjë zhvillimi me rëndësi”, thhet në përgjigje.


Forca të shtuara të karabinierëve mbi Urën e Ibrit - bëhet fjalë për trajnim

Më shumë trupa e automjete të karabinierëve janë parë mëngjesin e së shtunës mbi urën e lumit Ibër.

 Në mes të urës është parë një kordon i pjesëtarëve të KFOR-it. KOHA ka pyetur KFOR-in për këtë, por nga ky mision nuk kanë kthyer përgjigje ende.

E, Policia e Kosovës ka thënë se është e njoftuar për një trajnim që po mbahet aty. 

Një ditë më parë, Policia e Kosovës mbylli pesë objekte të strukturave paralele serbe në komunat në veri – aksion ky që u dënua nga ndërkombëtarët. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se që nga e premtja më nuk do të operojnë komunat paralele të Qarkut të i Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, e Zveçanit, e Zubin-Potokut dhe e Leposaviqit.

E, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se dyshimet janë që në këto objekte lëshoheshin dokumente të falsifikuara. Aksion ka pasur edhe në një spital, në pjesën e lavanderisë, pas raporteve se aty mund të ketë armatim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe e akterë të tjerë janë shprehur të shqetësuara e zhgënjyera nga ky aksion, duke e quajtur veprim të pakoordinuar të Qeverisë.

Ura e Ibrit ka qenë temë e nxehtë muajve të fundit që kur Qeveria ka shprehur insistimin për hapjen e saj, e bashkësia ndërkombëtare ka bërë të ditur se nuk e mbështet një gjë të tillë.  

Forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë në vazhdimësi mbi urë.