Arbëri

KFOR-i s’jep shpresë për kthimin e zonës së sigurisë në kufirin Kosovë-Serbi

Kontaktet e ngushta me përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë dhe Serbi, janë çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitet rajonal, kanë thënë në KFOR, kur janë pyetur nëse ky mision ushtarak ka opsion rikthimin e zonës së sigurisë përtej kufirit me Serbinë, të cilën e kërkoi së fundi kryeministri Albin Kurti. Në përgjigje dhënë KOHËS, KFOR-i rikujtoi se zonat e sigurisë tokësore dhe ajrore, “janë relaksuar plotësisht” në vitin 2015

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk sheh mundësi për rikthimin e zonës së sigurisë me Serbinë, të cilën e kërkoi kryeministri Albin Kurti në fundjavën e kaluar. 

Në pyetjet e KOHËS nëse është pranuar një kërkesë zyrtare nga qeveria dhe nëse mund ta konsiderojë rikthimin e zonës së sigurisë, në KFOR u përgjigjën, duke theksuar “relaksimin” e hapësirës tokësore e ajrore dhe veprimet tjera që sipas tyre garantojnë stabilitet në rajon. 

“Zonat e sigurisë tokësore dhe ajrore të krijuara përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes Teknike Ushtarake të vitit 1999 u relaksuan plotësisht në vitin 2015”, shkruan në përgjigjen e KFOR-it. 

Më tej, në përgjigje është treguar për veprimet që janë duke u ndërmarrë në funksion të garantimit të sigurisë përgjatë vijës kufitare.

“KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibile si dhe monitoron nga afër situatën. Ne vazhdojmë të përmbushim mandatin e OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – në mënyrë që të kontribuojmë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt, për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në përgjigjet e KFOR-it.  

Në to janë listuar edhe aktivitetet që kryejnë me akterë të ndryshëm, tek i cilësuan thelbësore për ruajtjen e stabilitetit rajonal. 

“KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë reaguesi i parë, përkatësisht i dytë i sigurisë. Gjithashtu, komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë dhe shefin e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ky është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar të shtunën e javës së shkuar nga NATO-ja që ta kthejë zonën tokësore të sigurisë në një perimetër prej 5 kilometrash përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.
Kërkesën për kthimin e masës së hequr shumë vjet më parë, Kurti e justifikoi me aktivitetet e Serbisë për afrimin e ushtrisë dhe artilerisë në kufi me Kosovën gjatë dy vjetëve të fundit.

“Meqë brenda dy vjetëve Serbia e ka sjellë katër herë ushtrinë e saj te kufiri ynë, duhet rikthyer zona tokësore e sigurisë që NATO e quan ‘ground safety zone’, në gjerësinë 5 kilometra rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë. Ajo u pati hequr në gusht të 2001-s, kur kryeministër ishte Zoran Gjingjiqi që e vranë dhe këtë po e keqpërdor regjimi i Aleksandër Vuçiqit”, ka thënë kryeministri Kurti, gjatë adresimit në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. 

Njohës të sigurisë thonë se kërkesa e Kurtit mund të jetë bazuar në vlerësimet që kanë dhënë institucionet e sigurisë. 

“Një kërkesë e tillë nga ana e kryeministrit nuk vjen vetëm si dëshirë por bëhet në kuadër të analizave e vlerësimeve të ndryshme që janë bërë prej institucioneve kosovare të sigurisë, të cilat kanë vlerësuar që ka rreziqe ose burimet kryesore të rreziqeve në Kosovë vijnë prej territorit të Serbisë, qoftë sulmeve sikurse ai i Banjskës apo kontrabanda me armë të ndryshme. Prandaj, një kërkesë e tillë ka konsekuenca edhe për Serbinë sepse një pjesë e mallrave, edhe bazat ushtarake janë të vendosura në kufij me Kosovën”, ka thënë Skender Perteshi nga “Instituti për Siguri dhe Rezilience – Prevent”. 

Ai ka përmendur aspektin politik që e bënë të vështirë ndryshimin e situatës aktuale përreth kufirit me Serbinë. 

“Nëse do të varej vendimi prej vlerësimeve të institucioneve të sigurisë, realisht vlerësimeve operacionale, atëherë një vendim i tillë do të ndodhte. Por nëse kjo do të bëhej vetëm prej institucioneve politike, atëherë nuk besoj se një gjë e tillë mund të adresohet për shkak se ekziston mungesa e vullnetit sidomos nga ana e Serbisë që të adresohen çështjet e sigurisë dhe sundimit të ligjit me të cilat ballafaqohen të dyja shtetet”, ka thënë Perteshi.

Në qeverinë e Kosovës nuk treguan për veprimet që kanë ndërmarrë në funksion të kërkesës për kthimin e zonës së sigurisë. 

Në pajtim me Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen teknike ushtarake të Kumanovës, në vitin 1999 në Kosovë u vendosën forcat ndërkombëtare të sigurisë, të udhëhequra nga NATO-ja, që kanë pasur për detyrë të ofrojnë ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të njëjtën kohë t’i kontrollojnë dhe mbikëqyrin kufijtë e Kosovës, përfshirë hapësirën ajrore. 

Në pajtim me këtë marrëveshje janë caktuar gjithashtu edhe zonat e sigurisë – zona ajrore dhe zona tokësore e sigurisë. Pika (d) e Marrëveshjes përcakton se zona e sigurisë ajrore është definuar si zonë prej 25 kilometrash dhe tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës në brendësi të territorit të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë dhe Malit të Zi. 

Zona e sigurisë tokësore ishte definuar si zonë prej 5 kilometrash, e cila tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës në brendësi të territorit të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë.