Arbëri

KFOR-i i gatshëm për të gjitha masat që të parandalojë rikthim të tensioneve në Kosovë

KFOR-i në Kosovës

Katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe dyshohen se kanë qëndruar disa minuta te hyrja e objektet te pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar të hënën, ka thënë Policia e Kosovës. Sipas Policisë, me një veturë ata kanë shkelur vijën kufitare dhe kanë pasur qëllim “provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror”.

E, misioni i NATO-s në Kosovë ka thënë se është në gatishmëri që të mos lejojë rikthimin e tensioneve e dhunës. Përmes një deklarate, KFOR-i ka theksuar se është i pozicionuar për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.

KFOR ka shtuar se po monitoron nga afër situatën përgjatë vijës kufitare, me praninë e shtuar të trupave si dhe patrullimet e aktivitetet e vëzhgimit.

KFOR-i do të vazhdojë të marrë “të gjitha masat që konsiderohen të nevojshme për të ruajtur stabilitetin dhe të parandalojmë rreziqet për rikthim të tensioneve dhe dhunës”, thuhet në deklaratë.

“Jemi në kontakt të rregullt me përfaqësues të organizatave të sigurisë të Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Serbisë. Sigurimi i koordinimit dhe përmbajtja nga veprimet që mund të çojnë në tensione është e rëndësishme për ruajtjen e sigurisë në të gjithë Kosovës dhe stabilitetin rajonal. Misioni ynë ka prani të dukshme dhe fleksibël. Ne jemi mirë të pozicionuar që të vazhdojmë të kontribuojmë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin tonë...”, ka thënë KFOR-i.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës.