Arbëri

KFOR-i e BE-ja njëzëri: Vendimi për urën të merret në kuadër të dialogut

Ndërkombëtarët kanë kërkuar që autoritetet e Kosovës të mos marrin veprime në urën e bllokuar për qarkullim të automjeteve që nga lufta. Njëlloj sikurse BE-ja, edhe misioni i NATO-s ka konsideruar se çdo vendim duhet të merret në kuadër të dialogut.

Misioni i NATO-s në Kosovë ndan qëndrimin e njëjtë me Bashkimin Evropian në lidhje me çështjen e Urës së Ibrit.

Në një përgjigje që zyrtarë të KFOR-it ia dhanë Radios Evropa e Lirë, thuhet se çdo vendim për urën duhet të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe se pjesëtarët e këtij misioni do të vazhdojnë të qëndrojnë mbi urë. 

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Karabinierët e KFOR-it, si çdoherë, edhe këtë të premte ishin të vendosur mbi Urën qendrore të Ibrit.

Diskutimet për hapjen e saj u rikthyen një vit pas vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

E, në një konferencë për media, tek iu referua çështjes së urës, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Brukseli ka parë mjaft kriza e shumë pak zgjidhje e hapa që çojnë drejt shtensionimit të situatës.

“Hapja e urës në Mitrovicë është në fakt objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE: nga viti 2015 dhe viti 2016. Dhe pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian si lehtësues, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim. Dhe meqenëse kjo është një çështje që i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe merret në dialog dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve: Kosovës dhe Serbisë. Kjo është shumë e qartë”, ka thënë Stano.

Ura kryesore mbi Ibër shihet si simbol i ndarjes së Mitrovicës, qytetit që në jug banohet nga shqiptarë e në veri nga serbë. Hapja e saj për qarkullim edhe të automjeteve është kundërshtuar edhe vitin e shkuar nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-serbi, Miroslav Lajçak.