Klisman Kadiu, këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Beslimi, ka thënë se votimi i Komisionit të Parlamentit Evropian të martën për miratimin e raportit për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në territorin e Kosovës, mund të krijojë precedentë të rrezikshëm edhe për Ukrainën e Gjeorgjinë.
Votimi i sotëm i Komisionit për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme të Parlamentit Evropian është një hap drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe në Kosovë.
Këshilltari i Bislimit ka thënë se skenar i ngjashëm kishte ndodhur edhe me Rusinë, por institucionet e BE-së e kishin dënuar veprimin.
“Ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, kur vetëm para më shumë se një viti, një tentativë e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-së”, ka shkruar ai në Facebook.
Kadiu ka shprehur keqardhje për votimin e sotëm, i cili sipas tij nuk reflekton “realitetin e së drejtës për udhëtime pa viza të qytetarëve nga komuniteti serb”. Ka shtuar se qytetarët serbë po vazhdojnë të pajisen me dokumente të Kosovës dhe interesimi është i lartë.
“Qytetarët tanë nga komuniteti serb nuk janë të izoluar e as komuniteti i vetëm që nuk mund të udhëtojë drejt Evropës. Qytetarët tanë nga komuniteti serb, po vazhdojnë të pajisen me dokumenta të shtetit tonë dhe të ketë interesim të lartë, e ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje qytetarëve që të pajisen me to, në mënyrë që ta shfrytëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë pas arritjes së liberalizimit të vizave për shtetin tonë. Ne vijojmë të qëndrojmë në gatishmëri e me kapacitete të plota për të përmbushur kërkesat e tyre. Ritheksojmë se pasaportat ilegale të lëshuara nga Serbia shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk mund të njihen apo të jenë dokument i vlefshëm udhëtimi”, ka shkruar tutje ai.
Siç thotë Kadiu, propozimi i tillë ka ndikim negativ për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.
“Shtyrja para e këtij propozimi, ka impakt negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë, por edhe në procesin e dialogut. Që prej momentit kur është inicuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë”, ka shkruar Kadiu.