Universiteti i Prishtinës ka thënë se Këshilli i Etikës meriton më shumë kohë për shqyrtimin e rastit të profesorit Xhevat Krasniqi, marrë parasysh, siç ka theksuar universiteti, se edhe denoncimi është bërë shumë më vonë se që kur ka ndodhur.
Në një sqarim që ka dhënë UP-ja lidhur me rastin e denoncimit të Krasniqit për ngacmim seksual nga 27 studente, thuhet se Këshilli i Etikës “vlerëson që nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës”.
Megjithatë, ka shtuar UP, Këshilli po e trajton rastin me urgjencë.
“Sqarojmë se rasti i adresuar, pretendohet të ketë ndodhur para një viti e gjysmë (tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023). Përkundër kësaj, rasti është adresuar në Këshill të Etikës vetëm në mes të marsit 2024. Kurdo që një rast paraqitet, ai merret dhe trajtohet me seriozitetin e duhur dhe procedurat e paracaktuara, por nëse është dashur kaq kohë e gjatë për ta paraqitur, Këshilli vlerëson se meriton një hapësirë kohore, që gjithsesi është shumë më e arsyeshme se kjo më sipër, për të punuar i lirë dhe, mbi të gjitha, për t’u siguruar që dëgjon dhe shqyrton deklarimin e secilës palë, të përfshirë në këtë çështje dhe që duhet dëgjuar”, ka thënë UP.
Ndërkaq, ka bërë thirrje që protestat e studentëve dhe aktivistëve të mbahen në mënyrë demokratike, që të mos ushtrojnë presion. UP-ja ka theksuar se vendimet e Këshillit nuk janë të formës së prerë, e rrjedhimisht, secila palë mund t’i adresojë “pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore”.
“Sigurisht, Këshilli i Etikës, sikurse vetë Universiteti i Prishtinës, e kupton dhe pranon të drejtën e protestës, por u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, si dhe palëve të treta, që protestat të zhvillohen në mënyrë demokratike, në një mënyrë që nuk ushtron presion dhe nuk pengon kryerjen e detyrave të Këshillit të Etikës”, ka thënë më tej.
UP ka përsëritur se të gjitha palët duhet të përmbahen nga çfarëdo mjeti e forme presioni.
“Pretendimet janë serioze dhe kjo gjithashtu nënkupton se edhe rasti duhet të trajtohet me seriozitet. Secili pretendim dhe secila provë duhet të shqyrtohet, brenda një kohe të arsyeshme, duke bërë përpjekje maksimale që ky rast të vendoset brenda një periudhe sa më të shpejtë të mundshme dhe objektivisht optimale, gjithmonë duke u siguruar se nuk dëmtohet drejtshmëria e vendimit”, ka përfunduar Universiteti në sqarimin dërguar mediave.
KOHA pati raportuar fillimisht, se 27 studente e kanë denoncuar profesorin e Edukimit për sjellje joprofesionale në ambientet akademike. Në ankesën e tyre studentet kanë theksuar se profesori u është drejtuar me sjellje joprofesionale dhe me komente mbi pamjen e tyre fizike. Në Fakultetin e Mjekësisë kanë thënë se pas denoncimit e kanë ndërprerë bashkëpunimin me profesorin.