Qytetarë serbë nga veriu i Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për të udhëtuar drejt Serbisë me qëllim që të votojnë në zgjedhjet serbe, më 17 dhjetor. Analisti serb, Branislav Kërstiq, thotë se ata janë urdhëruar nga Lista Serbe dhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që t’iu përgjigjur pozitivisht votimit. E kompanitë e autobusëve nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse do ta bëjnë, sikurse edhe vjet, organizimin e transportimit të tyre drejt Serbisë për pjesëmarrje në zgjedhje
Njëmbëdhjetë ditë para zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi, disa nga qytetarët serbë në komunat veriore të Kosovës janë shprehur të gatshëm të udhëtojnë drejt qytetit të Rashkës për të votuar.
Ata thanë se janë përgatitur që të marrin rrugë me autobusë dhe me vetura personale për këtë qëllim. E disa theksuan se veçse e kanë një të preferuar për t’ia dhënë votën.
“Do të votoj natyrisht, këtë e kemi obligim. Nuk e di se kush do të mund të fitojë. Unë veçse e kam kandidatin tim për të cilin do të votoj, e tash se kush fiton...., fiton”, ka thënë një qytetar.
“Sigurisht se do të votoj për zgjedhjet në Serbi. Dihet se kush do të fitojë. Kjo punë dihet”, ka thënë një qytetare.
“Nuk e di, nuk jam i sigurt nëse do të votoj. Do ta shoh”, ka thënë një tjetër qytetar.
E Branislav Kërstiq, gazetar e analist nga veriu, thotë se përfaqësues të Listës Serbe, bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, u kanë dhënë urdhra qytetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan që të dielën e 17 dhjetorit t’u përgjigjen pozitivisht zgjedhjeve në Serbi.
“Urdhri i Listës Serbe është ai që është në buxhetin e shtetit të Serbisë, është i obliguar atë mëngjes ose disa ditët më përpara me udhëtua edhe me shkua nëpër qyteteve, Rashka dhe të tjera, afër kufirit të shtetit të Kosovës edhe me fitua për dikon i cili u fikë ardhmërinë e fëmijëve të atyre njerëzve edhe ardhmërinë e nënshtetasve të Kosovës me nacionalitet serbë”, ka deklaruar Kërstiq.
KOHA u adresoi pyetje përfaqësuesve të Listës Serbe lidhur me pretendimin, porse nuk mori përgjigje.
Por Kërstiqi vlerëson se do të jetë i ulët numri i qytetarëve që do t’i përgjigjen thirrjes, tek shtoi se Beogradi zyrtar tashmë e ka rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
E për t’u përballur me çfarëdo situate të sigurisë në ditën e zgjedhjeve të Serbisë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, theksoi se Policia e Kosovës i ka kapacitetet.
“Nuk kemi ndonjë tendencë që shohim që do të ketë ndonjë problem ndonjë pakënaqësi apo diçka të tillë që mund të rezulton në protesta të dhunshme. Për neve është me rendësi nëse kemi ngjarje të tilla, ne mund t'i menaxhojmë ne kemi numër të mjaftueshëm të policëve në veri të vendit”, ka deklaruar Elshani.
Në zgjedhjet e fundit të Serbisë më 2022, qytetarët serbë nuk u lejuan të votonin në Kosovë, por udhëtuan në qytetet serbe me autobusë edhe të kompanive kosovare. KOHA i adresoi pyetje kompanisë që vitin e shkuar organizoi transportimin e serbëve për votim në Serbi për të mësuar nëse një organizim të tillë do ta bëjë edhe sivjet, porse nuk mori përgjigje. Përgjigje nuk mori as nga kompania kontraktuese me seli në Zubin-Potok.