Arbëri

Kërkohet të jenë obligative programet e rehabilitimit të të burgosurve për terrorizëm

Kërkohet të jenë obligative programet e rehabilitimit të të burgosurve për terrorizëm

Foto: Driton Paçarada

Sipas raportit, ligjet aktuale nuk mundësojnë kufizime plotësuese për të dënuarit që dënohen me burgim efektiv, por vetëm gjatë shqiptimit të dënimeve me kusht. Autori i raportit, Labinot Leposhtica, ka thënë se Kosova përbën model të gjithëpërfshirjes për sa u përket rehabilitimit dhe riintegrimit të të dënuarve për vepra terroriste, porse ka shtuar që ekzistojnë disa zbrazëti ligjore

Thirrje për ndryshime në Kodin Penal dhe në Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, me qëllim të përfshirjes së programeve të rehabilitimit në shqiptimin e dënimit me burgim efektiv, është bërë të enjten në prezantimin e raportit të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) lidhur me angazhimin e institucioneve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.

Sipas raportit, ligjet aktuale nuk mundësojnë kufizime plotësuese për të dënuarit që dënohen me burgim efektiv, por vetëm gjatë shqiptimit të dënimeve me kusht.

E Labinot Leposhtica, autor i raportit, ka thënë se Kosova përbën model të gjithëpërfshirjes për sa u përket rehabilitimit dhe riintegrimit të të dënuarve për vepra terroriste, porse ka shtuar që ekzistojnë disa zbrazëti ligjore.

“Çështja te këto dënime është se këto subjekte kanë nevojë për trajtim sa më specifik, sa më individual në mënyrë që të luftohen narrativet të cilat ata i kanë konsumuar dhe i kanë detyruar ata që të kryejnë vepra të kësaj kategorie. Dhe në këtë drejtim, Kodi Penal nuk e mundëson këtë”, ka theksuar ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kjo sfidë nuk qëndron vetëm për të dënuarit për kryerje të akteve terroriste, por edhe për vepra të tjera, përfshirë ato për dhunë në familje.

“Në këtë drejtim ne po i ndjekim programet bashkë me Këshillin e Evropës. Kemi bërë kurrikulë të mirë për këtë çështje, por sfidën e kemi që nuk po mund t’i detyrojmë të burgosurit që të ndjekin këtë program. Vijnë një herë, nuk vijnë herën e dytë, nuk janë të rregullt, nuk janë të disiplinuar, pikërisht sepse nuk e kanë obligim”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka thënë se është diskutuar edhe brenda Këshillit Gjyqësor për të adresuar këtë çështje dhe është zotuar se Ministria do të angazhohet për t’i përmbushur rekomandimet që i ka në mandat.

Sipas një raporti të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), dedikuar terrorizmit në botë, Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara (FBI) ka angazhuar një këshilltar për kundërterrorizëm që të mbulojë rajonin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut qysh prej vitit 2023. Agjentë të FBI-së është thënë se kanë marrë pjesë në takimet e task-forcës kundër terrorizmit dhe kanë ofruar këshilla gjatë hetimeve.