Pak ditë pasi që KOHA publikoi pjesë të aktakuzës së ngritur ndaj Skender Qerimajt, për vrasjen e gruas së tij, shoqëria civile ka kërkuar largimin nga puna të prokurores e cila e neglizhoi rastin e dhunës që e kishte paraqitur Lirija, vetëm 5 ditë para se të vritej. KPK-ja, prokuroren Stojanka Kasaloviq e ndëshkoi vetëm me vërejtje publike me shkrim.
Largimin nga puna të prokurores Stojanka Kasaloviq e ka kërkuar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, përmes një aksioni para Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Kasaloviq muaj më parë, nga ky Këshill, mori vetëm vërejtje publike me shkrim, për neglizhimin e rastit të Lirije Qerimajt, e cila përfundoi me vrasje, për shkak se kishte bërë marrëveshje me KPK-në, duke e pranuar fajin.
Lirija 5 ditë para se të vritej nga bashkëshorti i saj, e kishte paraqitur bashkëshortin e saj në polici, për dhunë në familje, por nga ana e institucioneve përgjegjëse nuk u ndërmor asnjë veprim.
Bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj, u lirua në procedurë të rregullt, ani se e ndjera kishte kërkuar edhe urdhër mbrojtje, urdhër i cili u lëshua ditën e vrasjes, më 5 janar 2022.
“Sot ne kërkojmë që prokurorja Kasaloviq të largohet nga puna, ndërsa Skënder Qerimaj të dënohet me burgim maksimal, këta si hapa të parë të marrë drejt arritjes së drejtësisë për Lirie Qerimajn. Që të ketë drejtësi për Lirijen, ndonëse të vonuar. Për të gjitha ne, siguri për ta gëzuar të drejtën për të jetuar, të lira nga çfarëdo dhune”, ka thënë aktivistja Ajeta Mjeku.
Sipas Mjekut, shteti është bashkëfajtor në vrasjen e 48-vjeçares në Llaushë të Skenderajt.
“Braktisja e Lirijes nga shteti nuk është rast i izoluar, por praktikë e vazhdueshme institucionale e trajtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore, që shpesh rezultojnë me fatalitet. Ky rast e bën bashkëfajtor shtetin. E bën bashkëfajtor në përshkallëzimin e dhunës ndaj grave në çdo nivel e sferë, në pasigurinë e thellë të shkaktuar tek to dhe në vrasjen e tyre. Procesverbali i bërë publik së fundmi nga KOHA tregon se Liria kishte përjetuar dhunë sistematike para se të vritej. Por përkundër kësaj, ajo s’kishte gjetur mbrojtje nga askush, duke përfunduar kështu e vrarë”, ka thënë ajo.
KOHA ditë më parë ka publikuar pjesë të aktakuzës së ngritur ndaj Skender Qerimajt, për veprat penale “lëndim i lehtë trupor”, “dhunë në familje”, “vrasje e rëndë” e për “armëmbajtje pa leje”.
Në aktakuzë janë të paraqitura edhe dëshmitë e fëmijëve të çiftit, të cilët kanë thënë se nëna e tyre vazhdimisht ka qenë cak i dhunës nga babai, dhe se i njëjti kishte tentuar ta vriste edhe vite më parë.
Fjalosjen, që i kishte paraprirë vrasjes, e momentin kritik e kishte parë nga afër njëri nga fëmijët e çiftit.
Vajza që ishte 16-vjeçare në atë kohë kishte thënë se babai e kishte qëlluar nënën me armë, kishte dalë nga shtëpia dhe ishte kthyer prapë e kishte qëlluar sërish.