Arbëri

Kërkohet shkarkimi i ministrit Latifi dhe i Bordit të SHSKUK-së

Deputetët e opozitës në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë kërkuar të martën shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, duke thënë se ai nuk i ka përmbushur detyrat si ministër. Në këtë mbledhje është kërkuar edhe shkarkimi i Bordit të SHSKUK-së shkaku i shkeljeve të evidentuara nga raporti i Auditimit për këtë institucion. Por një kërkesë e tillë nuk është mbështetur unanimisht nga deputetë të partisë në pushtet

Shkarkimi i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) është kërkuar të martën në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në të cilën është vënë në shqyrtim raporti i Auditimit për këtë institucion.

Në mesin e gjetjeve në këtë raport është potencuar shkelja e ligjit nga ana e anëtarëve të bordit në rastin e zgjedhjes së një anëtari të jashtëm.

Ngritja e kërkesës për shkarkim ka nxitur mospajtime midis deputetëve të Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Kur Eman Rrahmani, deputet nga LVV-ja, ka numëruar arsyet përse duhet që bordi të shkarkohet apo të dorëhiqet, ai është përballur me reagimin e bashkëpartiakut Halil Thaçi.

“Mendoj që edhe Bordi i SHSKUK-së duhet të shkarkohet ose të dorëhiqet, sepse këtu ka konfirmim nga Zyra Kombëtare e Auditimit se ka shkelje të ligjit”, ka theksuar Rrahmani. “Neve nuk na takon që të japim rekomandime për shqyrtimin e bordit. Sido që të jetë, unë në këtë pikë nuk do të votoj. Këto rekomandime unë nuk i votoj”, i ka reaguar atij Thaçi.

Kundruall qëndrimit të bashkëpartiakut, Rrahmani më pas ka ndryshuar qasjen, duke kërkuar që të bëhet të paktën një vlerësim i punës së anëtarëve të Bordit të SHSKUK-së ndërlidhur me 18 gjetjet nga raporti i Auditimit.

“Është kompetencë e jona që të japim rekomandime, por natyrisht që nuk mund të marrim vendim, ngase nuk na takon. Por, rekomandimet tona vijnë në bazë të gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Janë 18 gjetje te SHSKUK-ja që përgjegjës e bëjnë bordin që është prej 7 anëtarëve. Mund të bëjmë një rekomandim në ministri për ta bërë një vlerësim të punës së anëtarëve të Bordit, në lidhje me këto gjetje”, ka shtuar Rrahmani.

Rashit Qalaj, deputeti nga Partia Demokratike (PDK), ka kërkuar që rekomandimi për shkarkim të bordit t’i bëhet ministrit Latifi.

“Nëse një bord e ka shkelur ligjin, atëherë duhet edhe të japë përgjegjësi. Nuk është konstatim i yni politik, por i një organi profesional që ka konstatuar gjendjen. Dhe tash ne t’i mbyllim sytë para një shkeljeje të ligjit. Besoj që kemi edhe ne përgjegjësi këtu si deputetë. Ne mund t’i rekomandojmë ministrit për shkarkimin e bordit, por a vepron kështu apo ajo, kjo është çështje e ministrit”, ka thënë Qalaj.

Pas kësaj kërkese, deputetët nga opozita kanë adresuar kritika ndaj Latifit lidhur me mungesën e tij në Komision si dhe për gjendjen në shëndetësi, teksa e kanë fajësuar se nuk është duke i kryer detyrat që ia parasheh posti.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, gjatë debatit mbi çështjen, ka thënë se në bazë të gjetjeve të shumta që janë evidentuar nga Zyra e Auditimit për SHSKUK-në dhe për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2021, deputetët mund të rekomandojnë edhe shkarkimin e vetë Latifit në seancën e radhës.

“Unë hezitoj që t’i jap rekomandim një ministri për ta shkarkuar një bord, kur vetë ministri nuk është duke e kryer punën si duhet. Pra, ne e kemi një ministër, i cili nuk ka ardhur në Komision me gjithë konfirmimin dhe datat që ia kemi bërë të mundura. Kështu që, kur ta shqyrtojmë raportin e auditimit të Ministrisë së Shëndetësisë ka shumë gjasa që një prej rekomandimeve të plot deputetëve në seancë do të jetë që ta shkarkojnë ministrin për moskryerjen e punës së tij”, ka theksuar ajo.

Në mbrojtje të Latifit ka dalë deputetja nga LVV-ja, Mirlinda Sadiku, duke i fajësuar qeverisjet e kaluara për gjendjen në shëndetësi.

“Nuk është e vërtetë që ministri nuk është duke punuar. Ndoshta nuk është shumë ‘facebookian’, që të postojë lajme në Facebook, por është një profesionist i fushës”, ka theksuar ajo.

Në mbledhjen e Komisionit është shqyrtuar edhe raporti i i Auditimit për Zyrën Kombëtare të Auditimit për vitin 2021.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, gjatë raportimit në Komision ka thënë se opinioni i auditimit të jashtëm është i pamodifikuar, porse ka evidentuar dy gjetje. Ajo ka bërë të ditur se njëra prej tyre ndërlidhet me aspektet teknike të procedurave të aktivitetit të prokurimit në sistemin e e-prokurimit dhe tjetra me zbatimin e rekomandimeve të auditimit të brendshëm.

“Në rastin e aktivitetit të prokurimit për furnizim me pajisje të teknologjisë së informacionit nuk janë çaktivizuar rolet e anëtarëve të komisionit të hapjes në sistemin e prokurimit dhe rolet e anëtarëve të komisionit të vlerësimit. Nuk është që është shkelje që i njëjti person të jetë edhe në hapje, edhe në vlerësim, por ajo çka është evidentuar nga auditori i jashtëm është në sistemin e e-prokurimit”, ka thënë ajo.

Gjatë mbledhjes deputetët kanë kërkuar gjithashtu që gjetjet e Auditorit nëpër institucione të trajtohen më me seriozitet nga Prokuroria.