Arbëri

Kërkohet rritja e ndihmës për fëmijët pa përkujdesje prindërore, edhe pas moshës 18-vjeçare

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Mungesa e zbatimit të kornizës ligjore për mbrojtjen e fëmijëve, ka lënë pa ndihmën e duhur ata që s`kanë përkujdesje prindërore. Organizatat që merren me këta fëmijë, kërkojnë ndryshim të qasjes institucionale ndaj tyre, derisa familjet strehuese ndajnë përvojat e tyre me ta.

“Me tetën tonë e kalojmë shumë mirë, na don si fëmijët e vet edhe na e dojmë si nanë tonën do me thënë. Vetë nana jonë nuk i ka bo ato senet që na i ka bo teta jonë për neve edhe për çikën e vogël”.

Kështu e përshkruan 13-vjeçari përvojën e tij me nënën strehuese. Si fëmijë pa përkujdesje prindërore, tash e dy vjet, së bashku edhe me tre vëllezër e motrën, ai është i strehuar në një familje në rajonin e Dukagjinit.

Thotë se me ta janë shumë të lidhur e kalojnë shumë mirë.

13-vjeçari sapo ka përfunduar klasën e gjashtë e është i pasionuar pas fizikës. 
Në të ardhmen, e sheh veten të pavarur nga të tjerët, si mjek të suksesshëm e ëndërron që t`iu ndihmojë të tjerëve, ashtu si vetë ka gjetur ndihmën te familja strehuese.

“E kisha bo pak më i pavarur nuk do me thënë që tashti që s`duhet me u lëshu prej njëri-tjetrin se ne tanë i kemi jetët e tona duhet me u nda amo kështu mundem me u taku gjithë, apet se apet fëmijët tanë me lu bashkë….kur isha rrit kisha pas nevojë për me shku jashtë shtetit veç për ata po më duhet se ndryshe krejt tjerat i bojë vet”, ka thënë ai.

Për fëmijët si ai, tash e 10 vjet, shtëpinë e ka hapur Arlinda Rexhepaj nga Istogu. Thotë se ofrimi i kujdesit prindëror për ta aq sa sfidues është edhe kënaqësi e krenari.

Në kujdesin e saj, aktualisht janë pesë fëmijë, prej të cilëve një vajzë 18-vjeçare.

Në mungesë të politikave të qarta, kujdesi për të nga Rexhepaj bëhet në mënyrë vullnetare, e shkaku i moshës, 18-vjecares i është ndërprerë edhe ndihma financiare.

“Na si familje strehuese nuk kemi mujt me bo ballë edhe me qit në rrugë e me nda prej vëllezërve veç e kemi vendos me majt, ku bahet një copë bukë për krejt qeta njerëz të tjerë atëherë kemi vendos edhe cikën me mbajt, pa mbështetje prej shtetit, pa mbështetje prej komunë së saj pa mbështetje prej askujt”, ka thënë Rexhepaj, nënë strehuese.

Apelon te shteti që qasja ndaj kësaj kategorie të fëmijëve pa përkujdesje të ndryshojë, e ndihmë t’u ofrohet edhe nëse ata arrijnë moshën e pavarësisë.

“Përderisa ne familjet strehuese i mbrojmë këta fëmijë edhe kur t`i bëjnë 18 vjet që s`kujdeset kurrkush për ta absolut atëherë pse mos ta bëjë shteti. Të paktën të ja ofron një pagë, le të rrinë në familjen strehuese. Ka familje, pse unë e bëjë edhe ka familje që e bëjnë, dikush nuk e bënë se nuk ka mundësi. Atëherë unë kisha pas dëshirë dhe inshalla do Zoti bahet të paktën një pagë për ta, ose ofrohet ndonjë punë për ta ose diçka e mirë për ta”, ka shtuar ajo.

Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror, është ombrella e familjeve strehuese e si e tillë ofron mbështetje për fëmijët e vendosur në strehim familjar.

Albana Hoti, nga kjo organizatë, tregon se aktualisht janë rreth 40 familje që ofrojnë strehim për rreth 50-55 fëmijë pa kujdes prindëror. Sipas saj, ndihma ndaj këtyre fëmijëve e familjeve nuk është e mjaftueshme.

“Duhet një investim i jashtëzakonshëm në mënyrë që të rikuperohen dhe të rikthehen në jetën e shëndoshë në integrimin e jetës sociale. Kështu që familjet mundohen për aq sa kanë këtë mbështetje me ja dalë në bazë të nevojave që ata mujnë me i adresu mirëpo kjo shkon edhe përtej sepse familjet nuk kufizohen vetëm në bazë të të hyrave që marrin për fëmijë”, është shprehur Hoti.

Rregullimi i statusit të këtyre fëmijëve, por edhe aplikimi i lehtësirave për kujdesin ndaj tyre, bëhet përmes një kornize të gjerë ligjore, por që e cila nuk ka gjetur zbatim të plotë.

Një prej çështjeve që ende nuk ka gjetur zbatim është Jetesa e Pavarur e Mbikëqyrur, e rregulluar me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës. Për pasojë, fëmijët pas moshës 18-vjeçare nuk gëzojnë shërbimet e mbrojtjen e paraparë.

Çështjet që lidhen me fëmijët pa përkujdesje prindërore janë rregulluar edhe në Projekt-kodin Civil, por që i njëjti ende nuk është miratuar nga Qeveria, në mungesë të votave pro tij nga deputetët e Kuvendit.