Arbëri

Kërkohet që të mos ketë vonesa në subvencionim e prindërve për tekste e materiale shkollore

Në prag të vitit të ri shkollor, prindërit ua kanë mësyrë librarive për t’u furnizuar me materialet e nevojshme për nxënësit. Disa prej tyre thonë se nuk u kanë dalë ende paratë me të cilat Ministria e Arsimit ua subvencionon librat dhe materialet tjera shkollore. Ankesa ka edhe për çmimet e librave

Jo të gjithë prindërve u janë subvencionuar tekstet dhe materialet shkollore. Ankesa ka edhe për çmimet, të cilat thonë disa prindër, nuk mbulohen të gjitha nga financimi i shtetit. Valon Gjikolli është njëri nga ata që blerjet e librave i ka kryer me buxhetin personal, me shpresën se nuk do të vonohet ekzekutimi i mjeteve nga ministria. 

“Është jashtëzakonisht e mundimshme për prindërit, forma më e mirë e mundshme ka qenë deri para dy vitesh që tekstet të shpërndahen nëpër shkolla, kjo ka qenë shumë më e lehtë për prindërit dhe ka qenë më pak e kushtueshme, sepse me këtë mbulesë financiare, do të thotë as përafërsisht nuk mbulohen të gjitha tekstet, për ata që kanë dy apo tre fëmijë. Mendoj se diferenca mund të jetë mbi 100 euro... Mua nuk më kanë dalë ende, të gjithë këtë blerje që e bëra sot e bëra me buxhet personal, me idenë që ato do të dalin ndërkohë, por nga kjo që e paguaja aktualisht, ishte diku mbi 100 e pak euro diferenca, shto faktin që nuk ishin edhe të gjitha tekstet”, tha Gjikolli.

Përderisa shitësit i kanë thënë Kosovapress-it se nuk kanë ankesa lidhur me çmimet e librave, ka prindër të cilët thonë se librat janë më shtrenjtë këtë vit. 

“Përveç një libri që është i një shtëpisë botuese tjetër, të gjitha tjerat i kemi kompletuar. Nuk po shoh ndonjë problem, po zgjedhim ndonjë librari që është më pak e ngarkuar, po gjejmë edhe sende të tjera që janë të nevojshme, kështu që nuk po shoh ndonjë problem në këtë proces...  Prej vitit të kaluar ndoshta pak është një rritje por jo diçka shumë”, tha Lepaja.

E drejtori i Institutit Ed-Guard thotë se institucionet, si të nivelit qendror e edhe ato të nivelit lokal duhet të përkujdesen që procesi me tekstet shkollore të menaxhohet mirë, ashtu që të gjithë nxënësit e Kosovës ta nisin vitin e ri shkollor me libra nëpër banka.

“Cilido format i shpërndarjes së teksteve për ne është i pranueshëm, përderisa teksti shkollor është i qasshëm për nxënësin menjëherë më 1 shtator. Gjithherë na është prezantuar ministria në faj, mirëpo shpeshherë në faj kanë qenë drejtoritë komunale të arsimit, të cilat për shkak të neglizhencës, mos menaxhimit të mirëfilltë pa dyshim që pastaj na kanë shkaktuar vonesa sikurse ato që i kemi pa ndër vite”, tha Qehaja. 

Më 20 gusht, Ministria e Arsimit ka deklaruar se i ka subvencionuar shumicën e prindërve që kanë aplikuar për subvencionim apo 81.355 nga gjithsej 151.080 prindër aplikues.