Arbëri

Kërkohet që pas pushimit, Kuvendi ta ketë prioritet kompletimin e përbërjes së Kushtetueses

Kuvendi i Kosovës mbylli të enjten sesionin pranveror të punës. Por, nga marsi e deri në gusht legjislativi nuk arriti ta kompletonte përbërjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Njohësit e sistemit të drejtësisë bëjnë thirrje që kjo çështje të jetë ndër prioritetet e para të deputetëve pas kthimit nga pushimi. I ngadalshëm është vlerësuar ritmi i punës së Kuvendit gjatë periudhës mars-gusht edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Deputetët kanë shkuar në pushim pa arritur që ta kompletojnë përbërjen e Gjykatës Kushtetuese, të cilës i mungojnë dy gjyqtarë.

Në qershor Kuvendi dështoi në mungesë votash të zgjedhë njërin nga gjyqtarët, derisa pak ditë para votimit, një gjyqtar tjetër kishte dhënë dorëheqje.

E kjo çështje, sipas Gëzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duhet të jetë ndër prioritetet e para të deputetëve kur të nisë sesioni vjeshtor.

“Është edhe një rrezik tjetër që ndoshta nëse zvarritet ky proces atëherë ndonjë gjyqtar tjetër mund të jap dorëheqje ose për arsye të tjera nuk mund ta ushtrojë detyrën e tij dhe që në fakt i bie se Gjykata Kushtetuese bëhet pasive. Pra fakti që aktualisht ka kuorum nuk duhet me shërby si një relaksim në raport me Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Shala.

I ngadalshëm është vlerësuar ritmi i punës së Kuvendit gjatë periudhës mars-gusht edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Më shumë se punë të realizuar, monitoruesit e legjislativit kanë identifikuar mungesa të shumta të deputetëve nëpër seanca.

Sipas të dhënave që KDI-ja publikoi të premten, deri në fund të muajit korrik, deputetët kanë munguar plot 414 herë. Mesatarisht i bie që në secilën seancë kanë munguar deri në 15 deputetë.

“Ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara, vetëm 7 sosh krahasuar me 10 ligje të miratuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në bazë të agjendës legjislative të Kuvendit janë proceduar deri në përfundim të sesionit 29 projektligje, prej të cilave 7 janë miratuar, ndërsa 22 të tjera janë në procedurë të shqyrtimit nga komisionet parlamentare”, ka thënë Agnesa Haxhiu nga KDI-ja.

Haxhiu ka bërë të ditur se ka pasur ngritje të performancës në rolin mbikëqyrës përmes parashtrimit të pyetjeve të deputetëve në drejtim të Ekzekutivit.

KDI-ja vlerëson se Qeveria ka dështuar të përmbushë planin e saj legjislativ duke dorëzuar vetëm 27 projektligje nga 65 sa kanë qenë të parapara për procedim për periudhën prill-gusht.

Raporti thekson edhe mospajtimet e thella ndërmjet pushtetit dhe opozitës për shkarkimin e bordeve të institucioneve të pavarura.

Legjislativi mbylli të enjten punimet për sesionin pranveror.