Arbëri

Ballafaqimi me të kaluarën sfidë e Procesit të Berlinit

Arritja e pajtimit dhe normalizimi i bashkëpunimit sa i përket ballafaqimit me të kaluarën, është kërkuar të jetë ndër prioritetet e Procesit të Berlinit, i cili mbledh javën e ardhshme liderët e Ballkanit Perëndimor, zyrtarët e Qeverisë gjermane dhe ata të Bashkimit Evropian. Në dhjetëvjetorin e themelimit të kësaj nisme, pritet të nënshkruhen edhe marrëveshje të reja

Ballafaqimi me të kaluarën dhe arritja e pajtimit duhet të përfshihen në agjendën e Procesit të Berlinit, kanë thënë përfaqësues të organizatave që merren me krimet, të kaluarën dhe të drejtat e njeriut. Rëndësia e trajtimit të këtyre çështjeve, krahas promovimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes vendeve të rajonit është diskutuar të premten në Berlin.  

Kryetarja e Fondit për të drejtën humanitare, Natasha Kandiq, ka folur për mungesën e vullnetit të politikanëve për t’u ballafaquar me të kaluarën. 

“Ne gjithmonë dëgjojmë vetëm për numrin e personave të zhdukur, por një organizatë nga rajoni, Qendra për të Drejtën Humanitare në Serbi dhe Qendra për të Drejtën Humanitare në Kosovë arritën ta ndryshojnë këtë gjë, duke ndaluar diskutimet vetëm për numrat e duke raportuar mbi bazën e provave dhe hulumtimeve, mbështetur edhe në një libër për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Ne ua përcollëm librin politikanëve por nuk morëm asnjë reagim. Vetëm një anëtar i parlamentit të Vojvodinës na dërgoi një letër falënderimi për këtë informacion shumë të rëndësishëm”, ka thënë Kandiq. 

Ish-përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Joachim Rücker, ka thënë se ballafaqimi me të kaluarën nuk është temë popullore për politikanët. 

“Ne nuk kemi parë shumë politikanë në terren të sfidohen për ta përfshirë elementin e kërkimfaljes. Nuk shohim një lider të frymëzuar, sepse gjithmonë ekziston frika që kjo mund t’u kushtojë politikisht. Nëse kërkoj falje, nëse bëjmë këtë apo atë, madje edhe për çështjen e dëmshpërblimeve, atëherë kjo nuk do të sjellë përfitime për elektoratin tim, gjë që në shumë raste është e vërtetë. Por ne jemi në Berlin, Gjermani, dhe ka një shembull nga e kaluara që guximi politik ka sjellë rezultate pozitive. Duhet të rikthehem tek Ëilly Brandt, kancelari gjerman, i cili në atë kohë bëri shumë gjëra që ishin të papëlqyeshme në Gjermani. Ai tha gjëra të tilla si ‘kufiri midis Gjermanisë Lindore dhe Polonisë është përfundimtar, ai nuk është më territor gjerman’. Ai kërkoi falje për krimet e tmerrshme gjermane. Na duhen liderë që merren me këto sfida dhe e udhëheqin procesin”, ka deklaruar Rücker. 

Edhe pse elementi i përballjes me të kaluarën nuk është prioritet në procesin e Berlinit, sipas ambasadorit Rücker, ai ka ndikuar në tejkalimin e dallimeve. 

“Unë do të dëshiroja të shihja një rindezje lidhur me elementin e përballjes me të kaluarën në Procesin e Berlinit, ndoshta përfshirjen e disa kritereve dhe elementeve konkrete nga rekomandimet që jep shoqëria civile”, ka thënë ai. 

E Sofija Todoroviq, drejtoreshë e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) në Serbi foli për domosdoshmërinë e shmangies së radikalizmit të gjeneratave të reja. 

“Nëse ata që do ta ndërtojnë të ardhmen tonë, dhe janë vendimmarrësit e ardhshëm ballafaqohen me radikalizimin e qëndrimeve politike, kjo është në thelb pasqyra e së ardhmes, në të cilën ne të gjithë do të jetojmë. Ne duhet t'i marrim shumë seriozisht këto lloj prirjesh, sepse besoj fort se këto trende nuk janë thjesht diçka që duhet të vëzhgohen, por është çështje e demokracisë”, ka thënë ajo.  

“Kjo do të thotë se duhet ta rimendojmë strategjinë tonë arsimore, të rimendojmë lloje të ndryshme qasjesh për t’i angazhuar të rinjtë dhe të gjejmë mënyra efikase që ata të kenë një rrugë ndryshe. Ne kemi humbur mundësinë për ta normalizuar paqen dhe bashkëpunimin, prandaj do të doja shumë që Procesi i Berlinit ta vendosë si prioritet normalizimin e paqes dhe bashkëpunimit”.  

Në përfundim të diskutimeve, të cilat u organizuan në kuadër të dhjetëvjetorit të Procesit të Berlinit, organizatat e shoqërisë civile u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve të Samitit të Procesit të Berlinit që gjatë javës së ardhshme të miratojnë disa konkluzione për mbështetjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor. Ato gjithashtu propozuan një rekomandim që u bënë thirrje qeverive të Ballkanit Perëndimor të përmbahen nga të gjitha llojet e shtypjes direkte ose indirekte ndaj shoqërisë civile. 

Samiti i Procesit të Berlinit 2024, i cili do të shënojë dhjetëvjetorin e iniciativës, është planifikuar të mbahet më 14 tetor në kryeqytetin e Gjermanisë. Në samit marrin pjesë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, institucionet e Bashkimit Evropian, Qeveria Federale e Republikës së Gjermanisë dhe institucione të BE-së.