Arbëri

Marko Daniq pranon dy vjet burgim për protestat e dhunshme në Zveçan

Serbit Marko Daniq, pjesëmarrës në protestat e 29 majit 2023 në Zveçan, i janë shqiptuar 2 vjet burgim efektiv dhe 6 muaj të tjerë që mund t’i mos i mbajë në rast se paguan gjobën prej 9.000 eurosh. Daniqi ka pranuar fajësinë dhe dënimin

Dy vjet burgim efektiv e 9 mijë euro gjobë i janë shqiptuar Marko Daniqit, pjesëmarrës në protestat e dhunshme të 29 majit 2023 në Zveçan. 

Daniqi ka arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë. 

Për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, Daniqi është dënuar me dy vjet burgim efektiv, ndërsa për veprën penal  “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” me 6 muaj burgim. 

“Për veprën penale ‘pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm’, t’i shqiptohet dënim me burg prej 6 muajsh me mundësi zëvendësimi me gjobë në shumën prej 9000 euro”, ka thënë prokurori special Bekim Kodraliu. 

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Daniq, avokati Bogdan Llaziq, ka thënë se në tërësi i qëndrojnë prapa marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, kurse sa i përket dënimit me gjobë, ka shtruar kërkesë që të përcaktohet për një periudhë më të gjatë kohore.

E para se vendimin ta merrte gjykata, gjyqtari Valon Kurtaj ka pyetur Daniqin se a është futur në marrëveshje me prokurorinë vullnetarisht. 

“A është bërë me vullnetin tuaj ky pranim i fajësisë, mos iu është bërë ndonjë premtim ose presion ose ndonjë shtytje që me ju bindë juve që ta pranoni fajësinë apo vetë nga vullneti juaj?”, ka pyetur Kurtaj. 

I akuzuari Daniq ka mohuar të ketë pasur presion.

Palët kanë njoftuar se nuk do të ankohen në shkallën e dytë lidhur me vendimin e së hënës.

Daniqi është arrestuar më 15 nëntor të vitit që shkoi.  

Protestat në maj të 2023-s patën shpërthyer pas futjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat kryesore komunale në katër komunat e veriut, të banuara kryesisht me serbë. 
Në ato protesta ngelën të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, disa tepër rëndë.