Arbëri

Kërkohet që bizneset që vendosin kamera t’i mbrojnë të dhënat personale

kamera

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga bizneset që vendosin kamera t’i respektojnë kriteret e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

“Agjencia për Informim dhe Privatësi, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve, përkatësisht mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përmirësimit të sigurisë, dhe mbrojtjes së pronës, kërkon nga bizneset ndërmarrjen e veprimeve për të garantuar përputhje me obligimet ligjore”, thuhet në komunikatën për media.

Në komunikatë janë përshkruar disa prej veprimeve që duhet të ndërmarrin bizneset që duan ose vendosin kamera. 

“Bizneset që përdorin kamera për vëzhgim thuhet se fillimisht duhet: Të bëjnë vlerësimin se është e nevojshme vendosja e kamerave dhe i njëjti veprim  nuk mund të arrihet me mjete tjera, si psh: duke vendosur një ndriçim më të madh; Të marrin vendim për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë ku do të përshkruajnë qëllimin e vendosjes, numrin e kamerave, të caktojnë personin përgjegjës dhe kohëzgjatjen e ruajtjes së regjistrimeve (vini re, LMDhP ka paraparë që kohëzgjatja e ruajtjes së këtyre regjistrimeve të jetë më së shumti një (1) muaj, përveç nëse kërkohen ndryshe për qëllime legjitime); Të informojnë personat e mbikëqyrur, të vendosin njoftime të dukshme që informojnë individët se zona është nën vëzhgim; Të përcaktojnë qëllimin dhe legjitimitetin: të sigurojnë që përdorimi i kamerave të jetë për qëllime të ligjshme dhe të përcaktuara qartë, si përmirësimi i sigurisë dhe parandalimi i krimeve; Të njoftojnë në mënyrë të duhur me shkrim të punësuarit lidhur me sistemin e vëzhgimit me kamerë dhe me të drejtat e tyre; Të mbrojnë të dhënat personale: të sigurojnë që të dhënat e mbledhura nga kamerat janë të mbrojtura nga qasja e paautorizuara dhe të përpunohen në mënyrë të ligjshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas Agjencisë ndërmarrja e këtyre veprimeve është esenciale për të siguruar respektimin e të drejtave të privatësisë së individëve.