Arbëri

Kërkohet që Bajroviqi të dënohet si pjesëmarrës në masakrën e 15 civilëve shqiptarë

“Dikush duhet të mbijetojë që të tregojë”, me këtë frazë e ka nisur të mërkurën fjalën e tij përfundimtare prokurori Ilir Morina, në rastin penal në të cilin Ekrem Bajroviqi mbahet përgjegjës për vrasjen e 15 civilëve shqiptarë në Saradran të Istogut.

Dëshmia e të mbijetuarit të vetëm të masakrës së Saradranit, Naim Elshani, sipas prokurorit Morina, është njëra prej provave më të forta për ta bindur gjykatën për dënimin e Bajroviqit.

“Historia e tij e dhimbshme dhe e fuqishme na tregon për mizorinë e asaj dite, duke sjellë para jush dhe para nesh një realitet që nuk duhet harruar kurrë. Historia e tij është më shumë se një tregim i një ngjarjeje që ka ndodhur në të kaluarën, është një thirrje për drejtësi, andaj në emër të viktimave të vrara që nuk mund të flasin për veten e tyre dhe në emër të drejtësisë, ne kërkojmë që kjo mizori të mos mbetet e pandëshkuar”, ka theksuar prokurori.

Aktakuza e ngarkon Bajroviqin se si pjesëtar i ushtrisë serbe, në bashkëpunim edhe me të tjerë, më 8 maj të 1999-s e ka ndalur në Saradran të Istogut një kolonë me civilë shqiptarë që po iknin për në Shqipëri, duke i marrë nga aty 16 burra dhe duke i dërguar ata te një shtëpi, ku i kanë rrahur me mjete të forta dhe u kanë thënë: “Ku e keni NATO-n, ku e keni UÇK-në”.

Të ndaluarit më pas, sipas aktakuzës, janë pushkatuar ndërsa ka mbijetuar vetëm Naim Elshani. Në fjalën përfundimtare, Elshani ka thënë se ende i vuan pasojat e ngjarjes së 25 vjetëve më parë.

“Unë kërkoj drejtësi nga kjo gjykatë dhe besoj në drejtësi, sepse unë nesër do të vdes. Këtë e di që nuk do të shkojë larg, sepse jam me pasoja shumë të rënda. Besoni, gjykatë e nderuar, që unë nuk fle, nuk fle prej dhimbjeve”, ka thënë ai.

E avokati i të akuzuarit, Ljubimir Pantoviq, tek e ka shpalosur fjalën e tij përfundimtare, ka theksuar se gjatë procesit gjyqësor nuk është arritur që të dëshmohet se Bajroviqi është fajtor. Ai ka thënë se në ditën kur ka ndodhur masakra klienti i tij ka shpëtuar jetë.

“Mbrojtja në tërësi e mohon pretendimin nga aktakuza se Ekrem Bajroviqi më 7 dhe 8 maj 1999 ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale, e cila i vihet në barrë”, ka thënë Pantoviqi.

Ditëve në vijmë Gjykata pritet që ta caktojë seancën, në të cilën do të jepet verdikti për Bajroviqin. Aktakuza ndaj tij është ngritur më 15 shtator të vitit të shkuar.