Arbëri

Kërkohet presion mbi Serbinë për 1.600 personat e zhdukur në luftë

Institucioneve vendore e komunitetit ndërkombëtar u është kërkuar që të ushtrojnë presion mbi Serbinë për t’i hapur arkivat e luftës, me qëllim të zbardhjes së fatit të mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. Thirrja është adresuar në një tryezë të organizuar nga Avokati i Popullit, një kuadër të shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë

Një ditë para shënimit të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë, është shtruar kërkesë për zbardhjen e fatit të mbi 1 mijë e 600 të zhdukurve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. 

Në tryezën e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, institucioneve vendore dhe komunitetit ndërkombëtar u është bërë thirrje që të ushtrojnë presion mbi Serbinë për të ofruar të dhëna që çojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. 

“Refuzimi, mosbashkëpunimi dhe hezitimi për të ofruar të dhëna dhe dëshmi për fatin e personave të zhdukur është i papranueshëm dhe paraqet mohim të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Vendosja në tavolinën e dialogut politik dhe synimi që të arrihet kompromis me fatin e personave të zhdukur është i papranueshëm nëse nuk vendoset si kërkesë e qartë për palët dhe të imponohet si detyrim dhe parakusht i çdo iniciative tjetër, duke e vlerësuar si prioritet që nuk lejohet të kalohet”, ka thënë Avokati i Popullit, Naim Çelaj. 

Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, theksoi se çështja e personave të zhdukur është ndërkombëtarizuar, duke u vendosur në kuadrin e dialogut në mënyrë që garantues të jetë Bashkimi Evropian. 

“Për t’u arritur kjo jemi munduar dy vjet, kemi shkuar në Bruksel me ekipin e dialogut dhe e kemi futur në kuadër të dialogut çështjen e personave të zhdukur, e kemi ndërkombëtarizuar jo politizuar, e kemi ngritur në nivel diplomatik në mënyrë që të kemi një garanci dhe ajo garanci të jetë Bashkimi Evropian. Më në fund, më 2 maj e kemi arritur të miratojmë jo të nënshkruajmë një deklaratë për personat e zhdukur, si rrjedhojë e Aneksit të Ohrit. Më 1 qershor unë kam dërguar një letër në implementim të deklaratës së personave të zhdukur, në implementim të asaj edhe Serbia e ka pranuar. Vuçiqit i kam dërguar letër dhe i kam kërkuar arkivat ashtu siç shkruan në deklaratë të klasifikuara apo jo të klasifikuara”, ka thënë Hoti. 

Por ai ka thënë se mungon vullneti nga pala serbe që të bashkëpunojë në këtë drejtim. 

“Jam i bindur plotësisht që kushdo në delegacionin e Serbisë i ka të gjitha informacionet për personat e zhdukur, për më të dashurit tanë që ne po i kërkojmë, thjesht duhet me pasë vullnetin, kurajën me i dhënë ato dhe të përballet me drejtësinë pastaj. Derisa kjo nuk arrihet natyrisht që kjo do të jetë e vështirë, natyrisht që ne do ta kemi edhe gishtin të drejtuar nga ne, sepse është normale përderisa kjo nuk arrihet e kemi shumë të vështirë t’i gjejmë personat e zhdukur”, ka thënë kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. 

Andin Hoti, që është djali i intelektualit e veprimtarit Ukshin Hoti, që është në mesin e të zhdukurve të luftës, ka theksuar nevojën për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë. 

“Mendoj që Kosovës më së shumti jo vetëm tash, por edhe në të kaluarën i nevojitet një dokumentim, një arkivim i asaj çfarë ka ndodhur, jo një shpikje. Nuk ka nevojë për asnjë klasifikim shpikje apo përgënjeshtrim, por thjesht një dokumentim i gjithë atyre krimeve, një bashkim i atyre dokumenteve në një institucion të vetëm. Ne e dimë që shoqatat kanë punuar pareshtur, por megjithatë shteti deri më sot nuk është se ka pasur një institucion të qartë se ku dhe si do të ruhen të gjitha dokumentet”, ka thënë ai. 

E Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, shprehu vërejtjen se as 25 vjet pas luftës nuk është arritur që dhembja e familjarëve të zbutet. 

“Politikanë të nderuar, kthejuni vetes dhe popullit. Rehatojeni popullin me këtë dhimbje me të cilën nuk mund të flenë sa duhet. Shumë rrallë e përmendi djalin, kur më bie ndërmend për ato nëna që ua kanë marrë në prehër fëmijët. I kam djepat në zyrë të zbrazët e nënat gjallë”, ka thënë Çerkini. 

Në tryezë Institucioni i Avokatit të Popullit i prezantoi statistikat për personat e vrarë, të zhdukur e të burgosur gjatë dhe pas luftës. Sipas këtyre të dhënave, mbi 13 mijë persona llogariten të vrarë apo të zhdukur, 10 mijë prej të cilëve janë civilë e 1 mijë e 133 fëmijë.