Arbëri

Kërkohet përfaqësim më i madh i grave në institucione e në vendimmarrje

Pjesëmarrja e grave në jetën publike dhe politike ka qenë temë diskutimi në takimin e rregullt vjetor të ekzekutivit dhe shoqërisë civile. Referuar mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, pjesëmarrëset kanë kërkuar më shumë prani të grave në institucione. Në takim është ngritur edhe shqetësimi për statistikat e larta të vrasjes së grave

Për nder të 24-vjetorit të Rezolutës 1325, Gratë, Paqja dhe Siguria, është mbajtur takimi i rregullt me titullin "Pjesëmarrja e grave në jetën publike dhe politike",  e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore. Përfaqësues të shoqërisë civile e të pushtetit kanë diskutuar për vështirësitë në zbatimin e politikave që afirmojnë barazinë gjinore. 

Drejtoresha ekzekutive, Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK), Igo Rogova, ka thënë se presin që në zgjedhjet e ardhshme të rritet numri i përfaqësimit të grave në institucione. 

“Erdhi koha e dialogut që jemi tash, kuptoj se kemi gra në vendimmarrje, dhe jemi shumë krenare, por nuk është me rendësi veç të kemi gra në vendimmarrje, është me rendësi të dëgjohet zëri i popullatës edhe brenda dialogut… Ne e kemi dëshirën që edhe zgjedhjet e ardhshme të jenë përsëri të përfaqësuara me gra, bile edhe më shumë. Por, mos harroni një gjë, më shumë se gjysma e popullatës që janë gratë votuese, kanë votuar këtë qeveri tash. Prandaj, ne presim edhe më shumë sesa kemi tash rezultate”, ka thënë Rugova. 

Përveç kërkesës për pjesëmarrje më të madhe të grave në politikë, është diskutuar edhe për sfidat sociale, me të cilat po përballen ato çdo ditë. 

Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi ka folur për statistikat e vrasjeve të grave në Kosovë, duke i cilësuar ato si shumë shqetësuese. 

“Vetë fakti që edhe më tutje ballafaqohemi me gjuhën e urrejtjes ndaj grave, vetë fakti që kemi një numër të madh të vrasjeve të grave tona, shpesh kemi përmendur këto, meqë zakonisht kryerësit e këtyre veprave janë bashkëshortit apo njerëzit, me të cilët jetonin shumë vite... Tani kemi një pasqyrë krejt tjetër dhe këto statistika tregojnë një realitet tjetër që duhet të brengosemi. Është e rëndësishme që të gjithë së bashku të punojmë, dhe janë të rëndësishme këto takime”, u shpreh Rexhepi.

Gjatë këtij diskutimi, ka zënë vend edhe Raporti i Progresit për Kosovën. Sipas drejtoreshës së Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, raporti ka treguar se përgjegjësia e institucioneve për të promovuar barazinë gjinore nuk është e kënaqshme.

Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës e vendosë çështjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike si një nga objektivat kryesore strategjike.