Shumica e ankesave të qytetarëve që kanë raste në gjykata e që drejtohen tek Avokati i Popullit kanë të bëjnë me neglizhencë të afateve procedurale. Ky institucion në një tryezë diskutimi ka folur për këtë problem, tek u është kërkuar institucioneve që të krijojnë mekanizma ligjorë, të cilët do të merreshin me këtë çështje.
Krijimi i mekanizmave ligjorë që do t’i trajtonin zvarritjet e procedurave gjyqësore, kishte qenë kërkesë e Avokatit të Popullit, drejtuar institucioneve që nga viti 2018.
Me gjithë rekomandimet e këtij institucioni, shkelja e së drejtës për gjykim brenda një afati të caktuar vazhdon të jetë një ndër problemet me të cilin ballafaqohen qytetarët.
Për këtë çështje, të martën u organizua një tryezë diskutimi, në të cilën morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e ka quajtur shqetësuese zvarritjen e procedurave gjyqësore, duke e potencuar nevojën për një mekanizëm ligjor, nëpërmjet të cilit do të mundësohej kompensimi i palëve.
“Riaktualizimi i rekomandimit të Avokatit të Popullit, përveç rëndësisë që ka për mbrojtjen e qytetarëve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, ka ardhur edhe si rezultat i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, u shpreh Qelaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është e rëndësishme që të respektohet e drejta e secilit, duke përmendur njëkohësisht punët e bëra deri tash.
“Me përpjekjet tona për integrim në sistemin evropian të vlerave si shoqëri dhe si shtet, thënë thjesht troç e popullore, duhet ta shtrëngojmë rripin dhe më shumë. E një nga sfidat më të mëdha e ku ne duhet ta shtrëngojmë rripin, veçanërisht është drejtësia si koncept bazë që mundëson bashkëjetesën njerëzore, me theks në mbrojtjen e respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se sistemin e drejtësisë e kanë trashëguar nga qeveritë e kaluara dhe se janë duke bërë përpjekje për ndryshim.
“Një intensifikim i përpjekjeve në këtë drejtim është evident, por ky intensifikim përcillet me mangësi dhe probleme të shtresuara të trashëguara ndër vite, besa edhe dekada. Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje për përmirësimin e gjendjes së rëndë, të trashëguar, të papërgjegjësisë në institucione publike për respektimin dhe zbatimin e ligjit nga vetë autoritetet publike”, ka thënë ai.
Që sistemi gjyqësor po përballet me numër të lartë të lëndëve, e përmendi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se kjo po rezulton edhe me mosgjykim brenda kohës së arsyeshme.
“Menjëherë në vitin e kaluar kemi themeluar grupin punues për hartimin e një koncept-dokumenti që ne e kemi titullar për realizimin e të drejtave civile, i cili do të finalizohet brenda këtij viti dhe adreson realizimin e drejtë të të drejtave të palëve në gjykim brenda kohës së arsyeshme, efektivitetin e çështjeve juridike dhe çështje të tjera me rëndësi me qëllim të zgjedhjes së problemeve që pengojnë funksionimin e sundimit të ligjit”, theksoi Haxhiu.
Ankesa për zvarritje procedurale ka pranuar edhe Gjykata Kushtetuese, por që sipas kryetares së kësaj gjykate, Gresa Caka, janë në numër më të vogël.
“Duke marrë parasysh peshën e problemit në sistemin juridik, praktika gjyqësore e Gjykatës sonë nuk është aq e pasur në këtë kontekst dhe kjo ka ndodhur për dy arsye: E para sepse Gjykata Kushtetuese është gjykatë e re dhe me ndërtimin e praktikës së saj, po ndërtohet edhe ekspertiza e palëve për të argumentuar çështjet të caktuara, dhe për t’i ndërtuar në atë mënyrë që kalojnë testin e provueshmërisë“, është shprehur ajo.
Për kritikat, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka thënë se kanë buxhet të vogël e numri i gjyqtarëve është shumë i vogël, krahasuar me numrin e lëndëve që pranojnë gjykatat themelore.
“Gjyqësorit duhet t’i jepet mbështetja e duhur pasi që në analizat e KGJK-së rezulton se në 20 vjet gjyqësori ka pasur buxhet dhe resurse për të mbijetuar, por në asnjë mënyrë për t’u zhvilluar, prandaj edhe kjo mund të rezultojë edhe si sfidë në adresimin e çështjeve për të cilën po diskutojmë këtu”, ka thënë ai.