Arbëri

Kërkohet mbështetje më e madhe për fëmijët me aftësi të kufizuara

Me shumë aktivitete është shënuar në Kosovë Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara. Prindër të këtyre fëmijëve kërkuan më shumë mbështetje nga institucionet dhe thanë se një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e asistentëve mbështetës në shkolla

Dashurinë që ka për qytetin e tij, Prishtinën, 10-vjeçari me autizëm, Uran Hamiti, e paraqiti në këtë pikturë.

Në ekspozitën e titulluar “Bërthamë”, që u mbajt në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara, ai tha se për pikturat që realizoi frymëzimin e mori në shfaqje teatrale.

“Prezantimi i kësaj pikture është qyteti, janë të vendosura shumë rrugë përfshirë qendrat tregtare, shkollat dhe shtëpitë. Për realizimin e këtij punimi më ka shtyrë që e kam mësuar në klasën e dytë, një pjesë teatrale e quajtur ‘Shtëpia e Çufrës’.  Por, piktura që më ka pëlqyer më së shumti është dordoleci, për shkak që simbolizon festat e fundvitit”, ka thënë ai.

Derisa shprehet krenare me arritjet e të birit për këtë ekspozitë, Hatixhe Krasniqi thotë se sfidat për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollë janë të mëdha.

“Tek nevojat e veçanta është pak e vështirë të përfshihen pa pasë një ndihmës individual, kështu që në shkollë Urani sa u përket këtyre aktiviteteve është më mbrapa, sepse nuk ka mësues mbështetës, por aq sa arrijnë t’i ndihmojnë mësuesja dhe shokët e klasës, por këtu në ekspozitë e ka treguar një rezultat më të mirë”, ka thënë Krasniqi.

Teksa foli për rëndësinë e kësaj ekspozite, organizatori Lekë Gjurgjiali tha se kjo nuk është hera e parë që janë organizuar ekspozita të tilla.

“Është një ekspozitë e cila për herë të parë është hapur në vitin 2022, për të shënuar Ditën për personat me aftësi të kufizuara dhe po e hapim për nder të 3-vjetorit të kësaj dite. Gjithsej janë 27 piktura të ndryshme, të cilat janë pikturuar prej 5 fëmijëve adoleshentë me aftësi të kufizuara që e kanë treguar anën e tyre unike”, ka thënë Gjurgjiali.

E drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, tha se qëllimi i kësaj ekspozite është integrimi i fëmijëve në një shoqëri gjithëpërfshirëse.

“Ne si drejtori e kulturës bashkë me organizatën kemi dashur ta organizojmë këtë ekspozitë, që janë të ekspozuara një numër i madh i veprave artistike të fëmijëve tanë. Për ne është shumë e rëndësishme që arti të përdoret si mjet i shoqërisë sonë, i një shoqërie që integron fëmijët tanë, e bëjmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse, të barabartë dhe të drejtpërdrejtë për të gjithë.”

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara janë shënuar edhe aktivitete të tjera.
Përfaqësues të Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, në një konferencë për media, u janë drejtuar institucioneve me kërkesën për përkrahje meqë, sipas tyre, mbështetja aktuale nuk është e mjaftueshme.

“Në vazhdimësi jemi duke u angazhuar që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të përmirësohen. Nuk është e mjaftueshme ajo që deri më tani ka mundur të realizohej duke pasur parasysh nevojat e mëdha në edukim të hershëm apo fillor në mënyrë që këta fëmijë të trajtohen sikur të gjithë fëmijët e tjerë”, ka thënë Bekim Krasniqi, kryetar i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar.

Përveç Prishtinës, aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara janë mbajtur edhe në qytete të tjera.