Dy aktivitete të ndara, që për temë kanë krimet e luftës, të cilat Serbia i ka kryer në Kosovë, janë realizuar nga zyrtarë qeveritar. Ministrat Haxhiu e Sveçla, takuan zyrtarët policorë përgjegjës për hetimin e këtyre krimeve, ndërkaq zëvendëskryeministri Bislimi në takim me përfaqësues të familjarëve të të zhdukurve, ka folur për rëndësinë e ndërkombëtarizimit të gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.
Përfaqësues të institucioneve shtetërore kanë shtruar nevojën që të intensifikohen veprimet në funksion të ndërkombëtarizimit, por edhe të hetimit, të krimeve të luftës të kryera nga Serbia 25 vjet më parë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizituan Policinë, ku takuan stafin e drejtorisë për hetimin e krimeve të luftës.
Haxhiu shkroi në Facebook pas takimit se në të është shprehur edhe rëndësia e bashkëpunimit institucional, për t’i adresuar krimet e Serbisë. Ajo tha se, për qëllim të rezultateve më të mëdha, është rritur numri i hetuesve.
“Me qëllim të rritjes së kapaciteteve të zhvillimeve, të hetimeve të krimeve të luftës, nga 17 zyrtarë sa kishte në të kaluarën ky sektor, atyre u janë shtuar gjithsej 41 zyrtarë, duke u shndërruar kështu në Drejtori brenda këtij Institucioni”, shkroi ajo.
E, gjatë ditës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, priti në takim përfaqësues të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve. Në informatën që Qeveria e ka lëshuar për takimin, është thënë se Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të mbahet përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë.
“U theksua rëndësia e ndërkombëtarizimit edhe të gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë, për të cilën organizatat mund të mbështeten plotësisht në përkrahjen e Qeverisë, si dhe u nënvizua domosdoshmëria për zbardhjen e krimeve, masakrave dhe planeve të strukturuara të saj për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës e vënia para drejtësisë e përgjegjësve të krimeve”, thuhet në njoftim.
Qeveria është zotuar se do ta padisë Serbinë për gjenocidin e kryer në Kosovë. Por, ndonëse zyrtarët kanë folur për përgatitje të padisë, ajo ende nuk është deponuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.