Komuna e Prishtinës ka bërë shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik me kontratën 12 milionë euroshe të “Shërbimit të Arkitektit të Qytetit”, ka gjetur organizata “Demokracia Plus”.
Ardit Dragusha nga “Demokracia Plus” ka thënë se komuna ka bërë shkelje të mëdha dhe ka kërkuar që procesi i vlerësimit të tenderëve të anulohet.
“Komuna ka bërë shkelje të madhe të Ligjit të prokurimit publik në rastin e caktimit të komisionit të vlerësimit të tenderëve sepse e ka caktuar Kreshnik Ferizin i cili nuk ka qenë i angazhuar fare me Komunën e Prishtinës. Kemi kërkuar kontratat që ai ka pasur me komunën dhe ka rezultuar se ka pasur vetëm një kontratë që ka përfunduar më 31 dhjetor 2022, ndërsa vlerësimi për këtë tender është bë më 29.05.2023. Ligji përcakton që autoritetet kontraktuese, në këtë rast Komuna e Prishtinës, duhet të bëjë përcaktimin e komisionit stafi i brendshëm. Autoritetet kontraktuese mund të marrin staf të jashtëm kur nuk kanë profilin e caktuar brenda institucionit publik”, ka thënë ai në “60 Minuta”.
Dragusha ka thënë se ka konflikt interesi në çështjen e Ferizit.
“Ekziston dyshim i bazuar konflikt interes se Kreshnik Ferizi ka qenë pjesë në të kaluarën e komunës së shpallur fituese. Kjo i bie sikur ky e ka vlerësuar punën e tij. Kemi kërkuar anulimin e këtij procesi, duhet të zhbëhet ky lloj vlerësimi sepse procesi i vlerësimit të tenderëve është i paligjshëm. Anulimin dhe hetimin nga prokuroria për të gjitha aspektet e tenderit”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se ka qenë edhe një person tjetër i cili ka marrë pjesë paligjshëm në komision të vlerësimit.
“Anëtari tjetër, Bekim Mustafa, kur është bë vlerësimi i tenderëve ka pasur kontratë në mënyrë joligjore dhe kontrata e tij ka përfunduar dy ditë pas përfundimit të komisionit të vlerësimit”.
Komuna e Prishtinës ndërkohë ka reaguar pas gjetjeve të “Demokracia Plus”. Në reagim thuhet se “Kreshnik Ferizi është caktuar anëtar i Komisionit Vlerësuar për aktivitetin: Konsulencë për Themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit në shtator të vitit 2022”.
Komuna është arsyetuar se pjesëmarrja e zyrtarëve në komisione vlerësuese është proces i rregullt administrativ në secilin institucion, e se Ferizi ka qenë gjatë kësaj kohë i angazhuar me kontratë punë nga Kryeqyteti, i angazhuar në komision si pjesë e detyrave dytësore “si çdo zyrtar”.
“Ju sigurojmë se, z. Kreshnik Ferizi nuk figuron në asnjë dokument të dorëzuar nga kompania Anarch SH.P.K si pjesë e aplikimit për tenderin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit. Prandaj, nuk ka pasur asnjë konflikt të interesit. Gjithashtu, çdo anëtar i Komisionit Vlerësues ka nënshkru deklaratën nën betim për respektim të të gjitha akteve ligjore”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.