Njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se pa bashkëpunim të ngushtë me Misionin e NATO-s në Kosovë, Policia nuk mund të parandalojë e vetme sulmet kriminale e terroriste në veri. E në KFOR thanë se kjo mbështetje për institucionet nuk ka munguar as pas sulmit.
Prania e Policisë në veri nuk është e mjaftueshme për të parandaluar sulme kriminale a terroriste, pa bashkëpunim e koordinim të ngushtë me KFOR-in, thonë njohës të sigurisë.
Të premten, disa orë para se të ndodhte sulmi, Policia mori vendim për të shtuar masat e sigurisë në nivel vendi, përfshirë veriun ku brenda javës u sulmua me bomba një objekt i stacionit të Policisë dhe një i Komunës.
Të shtunën institucionet nuk dhanë përgjigje nëse kanë pasur informacione paralajmëruese për sulme të përmasave si ai në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në Zubin Potok.
Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se aktet kriminale terroriste janë zor të parandalueshme.
“Akti i mbrëmshëm në sistemin e ujit të asaj pjese që konsiderohet infrastrukturë kritike, e demonstroi që megjithatë aktet e tilla terroriste janë të pamenaxhueshme. Janë vështirë të preventueshme, sepse ato për nga natyra janë dinake! Vetëm me një vigjilencë të vazhdueshme edhe me një seriozitet dhe me një koordinim me KFOR-in, mund të parandalohen apo të minimizohen”, ka thënë Hoxha.
Por, në KFOR kanë thënë se kjo mbështetje për institucionet nuk ka munguar as pas sulmit.
“Personeli i KFOR-it që nga mbrëmë ka ofruar siguri në tubacionin e ujit dhe në zonat përreth; për më tepër, KFOR-i ka ofruar asgjësimin logjistik të mjeteve shpërthyese dhe mbështetje inxhinierike për institucionet në Kosovë”, thuhet në reagim.
Veprimet e autoriteteve kosovare pas sulmit i ka vlerësuar edhe shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano i cili ka thënë se misioni që drejton është në koordinim të ngushtë me Policinë dhe KFOR-in.
Ish-zëvendësministri Hoxha ka thënë se grupet kriminale kanë ende rrugë e mundësi që të furnizohen me armë e të projektojnë sulme të tilla, prapa të cilave thotë se qëndron grupi i Banjskës i mbështetur nga Beogradi zyrtar.
“Është shumë e mundshme që të ketë vazhdimësi të akteve të tilla madje të natyrës edhe më të rëndë, përveç infrastrukturës kritike, unë besoj që Agjencioni i Inteligjencës së Kosovës, mekanizmat e sigurisë duhet të jenë në gatishmëri për ta preventuar eventualisht ndonjë sulm që mund të jetë ndaj komunitetit serb, me qëllim fajësimin pastaj shqiptarëve”, ka deklaruar ai.
Udhëheqësit e autoriteteve të sigurisë, një ditë pas shpërthimit i takoi presidentja, Vjosa Osmani me të cilët u diskutua për gjendjen e krijuar dhe masat e ndërmarra.
Ajo e ka quajtur të suksesshëm menaxhimin e situatës pas sulmit.