Arbëri

Kërkesa e Serbisë për informacione rreth Banjskës konsiderohet farsë juridiko-politike

Përveç se bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar se kërkesa e Serbisë për informacione lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit është një farsë politike, pasi që nuk besojnë në gjykim të drejtë. Edhe juristë nga Serbia kanë thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po tenton që të blejë kohë para ndërkombëtarëve, kinse është duke ndërmarrë veprime për gjykimin e organizatorit të sulmit, Milan Radoiçiq

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës i kanë listuar tri arsye që qëndrojnë prapa refuzimit që i kanë bërë Serbisë në kërkesën e adresuar për dhënie të informacioneve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit të shkuar në Banjskë të Zveçanit, ku ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

Zëvendësministri i drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se kërkesa e Serbisë bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ai ka thënë se shteti i Serbisë nuk mund të garantojë gjykim të drejtë për organizatorët e sulmit, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe se me këtë kërkesë po tentohet një farsë juridiko-politike, pasi që fqinji verior do të mund të konsideronte se veprat janë kryer në territorin e saj. 

“Në radhë të parë duhet thënë që edhe një kërkesë që vije përmes kanaleve diplomatike parimisht duket e ligjshme dhe në rregull. Por kjo bie ndesh me normativën kushtetuese të Republikës së Kosovës meqenëse veprat e ndodhura terroriste në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit janë brenda jurisdiksionit të Republikës së Kosovës dhe është një parim i vjetër i drejtësisë, që daton me shekuj, që për ato vepra të cilat ndodhin në një territor, kompetentë është vetëm gjykata kompetente e atij shteti”, ka thënë Qorrolli. “Kështu që, veprat që kanë ndodhur në Banjskë duhet të gjykohen nga një gjykatë kompetente e Republikës së Kosovës dhe kësisoj, ju e dini se Prokuroria Speciale e Kosovës është duke bërë intensivisht hetime dhe ende nuk ka dalë me konkluzat që nga shtatori i vitit të kaluar”. 

Sipas Qorrollit, as Serbia nuk kishte ofruar bashkëpunim në kërkesat e autoriteteve të Kosovës. 
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në tetor të vitit të kaluar ka bërë kërkesë pranë autoriteteve serbe. Asnjëherë autoritetet serbe nuk i janë përgjigjur kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe deri në këtë moment, meqenëse nuk kemi hetime gjithëpërfshirëse dhe nuk kemi një aktakuzë të ngritur sipas ligjit nga ana Prokurorisë Speciale, atëherë bashkëpunimi juridik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë çështje nuk është i mundur. Ne nuk mund t’i ofrojmë bashkëpunim Serbisë, sepse kjo bie në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, sipas të cilit veprat të cilat kryhen në një territor sovran atëherë kompetente duhet të jetë një gjykatë e themeluar me ligj”, është shprehur Qorrolli.

Dy hetime paralele

Aktualisht ndaj Milan Radoiçiqit janë duke u zhvilluar dy hetime paralele lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë - njëri në Kosovë dhe tjetri në Serbi. Prokuroria Speciale e Kosovës ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Radojçiqit dhe grupit të tij. 

Milan Radoiçiq disa javë pas sulmit ishte arrestuar në Serbi. Ai po mbrohet në liri, ani pse Prokuroria serbe e ngarkon atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.  

Sipas Qorrollit, mundësia e vetme për një gjykim të drejtë dhe zbardhje të rastit është dorëzimi i Radoiçiqit në Kosovë. 

“Ne si shtet dhe Qeveri nuk besojmë se Serbia do të mund të garantonte një gjykim të drejtë të Radoiçiqit dhe shpurës së tij mafioze, në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe në bazë të standardeve më të mira të respektimit të ligjit. Ne e dimë sikurse edhe bashkësia ndërkombëtare dhe besohet fuqishëm edhe faktualisht se Serbia qëndron prapa sponsorizimit terrorist të grupit të Radoiçiqit në Banjskë dhe duke qenë se aparati shtetëror serb e ka futur në këtë lojë Radoiçiqin dhe klikën e tij terroriste, atëherë vetë shteti serb nuk mund të garantojë një gjykim të drejtë”, ka theksuar Qorrolli. “Prandaj, edhe kërkesa e prokurorisë Speciale e bërë në tetor ka qenë për grumbullimin e informacioneve. Edhe shteti serb ka kërkuar provat materiale që i kanë mbledhur institucionet tona ligjzbatuese – Policia, prokuroria – dhe t’i dërgohen atyre që ata më pas ta krijojnë këtë si farsë dhe t’i ngritin aktakuzë, përjashtimisht duke menduar për shembull se ata do të thoshin që veprat janë kryer në territorin e Republikës së Serbisë sepse e konsiderojnë me kushtetutë si territor të tyre. Kështu që kjo përveç se është një farsë politike është gjithashtu edhe një lloj farse juridike sepse duke qenë se nuk i pranon autoritetet e Kosovës, atëherë Serbia këtë gjë e ka bërë vetëm për deliriumin e saj politik dhe për çështje tjera të cilat nuk kanë të bëjnë me sundimin e ligjit”. 

Meqë Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën, Qorrolli ka thënë se Radoiçiqi dhe të tjerët duhet të lihen të lirë nga Serbia dhe të dorëzohen vullnetarisht për gjykim në Kosovë.

Niniq: Vuçiqi vështirë se heq dorë nga Radoiçiqi

E juristë nga Beogradi, kërkesën e Serbisë për informacione rreth Banjskës e kanë cilësuar si përpjekje të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për t’u paraqitur para ndërkombëtarëve sikur po bëjnë diçka. 
“Ne nuk e njohim Kosovën si shtet, kështu që ajo kërkesë nuk mund të ketë karakterin e ndihmës juridike ndërkombëtare, por dërgohet përmes EULEX-it. Por përgjigjja e Prishtinës ishte e pritshme dhe vetëm i ‘dha kohë’ Aleksandar Vuçiqit, që ai t’u thotë ndërkombëtarëve se po bën diçka, por nuk mundi sepse autoritetet e Prishtinës nuk duan të bashkëpunojnë. Mirëpo, nëse do të kishte vullnet dhe dëshirë të vërtetë, Radoiçiqi mund të ndiqej penalisht në bazë të provave që shërbimet dhe policia serbe mund t’i kishin mbledhur, edhe pa pjesëmarrjen e autoriteteve të Kosovës”, ka thënë avokati, Ivan Niniq, për televizionin serb “N1”. 

Ai ka shtuar se me gjithë presionin ndërkombëtar, Vuçiqi vështirë se mund të heqë dorë nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë, pa ndonjë përfitim të madh diplomatik. 

“Vuçiq duhet ta peshojë se çfarë do të bëjë me Radoiçiqin. Nga njëra anë është presioni i komunitetit ndërkombëtar që do të jetë më i fortë, por, nga ana tjetër, Vuçiqi nuk ka gjasa që të heqë dorë nga një prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, ‘vëllai’. Vuçiqi nuk i jep njerëzit e tij dhe nuk bën lëshime pa një lloj kthimi dhe përfitimi për veten. Nuk përjashtohet që historia rreth Milan Radoiçiqit të ‘mbyllet’ me ndonjë marrëveshje, ku ai do të dënohej me ndonjë dënim me burg, por do të kompensohej mirë për këtë”, ka potencuar Niniq. Sipas tij, Radoiçiqi ka mbetur pa vilë e tij buzë liqenit të Ujmanit, porse ka marrë një vilë në Dedinje, dhe se kompanitë që i posedonte kanë fituar tenderë nga shteti. 

“Radoiçiqit iu kompensua kështu aksioni në Banjskë. Për Vuçiqin, problemi është se ai dhe Radoiçiqi morën pjesë në shumë gjëra së bashku, kështu që nuk mund të jepet lehtë, dhe pyetja është nëse Radoiçiqi, një milioner, do të pranonte të sakrifikohej dhe të shkojë në burg”, ka potencuar avokati serb. 

Ai nuk e ka përjashtuar ndonjë marrëveshje diplomatike, që në njëfarë mënyre do t’i kënaqte të gjitha palët. 

“Serbia ka ligjet e veta, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe vështirë se do ta ekstradojë Radoiçiqin, sepse do të kishte pasoja të rënda për regjimin e Aleksandër Vuçiqit. Nga ana tjetër, Kosova dëshiron ta dëshmojë shtetësinë e saj dhe do ta kërkojë me këmbëngulje. Por marrëveshjet diplomatike shpesh shkelin paragrafët e ligjit, kështu që nuk përjashtohet mundësia që çështja e Milan Radoiçiqit të zgjidhet nëpërmjet një marrëveshjeje diplomatike të prapaskenave”, është shprehur Niniq. 

Më 24 shtator të vitit të shkuar, një grup i armatosur serb e kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke e lënë të vrarë rreshterin Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë. 

Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili tani ndodhet në Serbi.