Ilir Kërçeli, anëtar i Kryesisë së degës së Vetëvendosjes në Prishtinë, ka akuzuar pushtetin në nivel komunal për padrejtësi lidhur me çështjen e planit rregullues në lagjen “Kalabria”, që së fundmi ka nxitur protesta të banorëve e përplasje të pushtetit me opozitën.
Në një shkrim në Facebook, Kërçeli ka thënë se kjo lagje është degraduar në vazhdimësi. Duke përmendur kundërmimin e përditshëm nga kolektori në këtë lagje, Kërçeli ka thënë se “Kalabria” po përballet edhe me bredhje masive të minjve. Për këtë ka thënë se “s’ka mbetur opsion tjetër veç të lansohet ndonjë ‘platformë’ si ajo me ‘qentë endacakë’ dhe të fillohet adaptimi i këtyre minjve, pasi edhe janë bërë pjesë e jetës së përditshme të qytetareve të kësaj lagje”.
“Debati e kundërshtimet për planin rregullues të cilin ka vite e muaj që e ka premtuar kryetari aktual, lidhen me padrejtësitë që u janë bërë qytetarëve të kësaj zone, duke ia ndërruar koeficientin e planit rregullues të lagjes nga muaji në muaj. Askush nuk e di se si është bërë vlerësimi ku në disa pjesë mund të ndërtohet me koeficient 1.8 (apo deri ne 5 kate ndërtim) diku me 2.4 koeficient (apo deri në 8 kate ndërtim) e duke përfunduar deri në koeficient 7 (deri në 15 kate ndërtim). Mosvizioni, pabarazia e mungesa e vullnetit për të realizuar një plan të mirëfilltë për qytetarët e Prishtinës e për banorët e kësaj zone janë karakteristikat të cilat e përkufizojnë këtë qeverisje”, ka shkruar ai në Facebook.
Kërçeli tutje ka hedhur akuza edhe për projektin e “Arkitektit të kryeqytetit”.
“Nëse qytetarët e kryeqytetit kanë besuar në prezantimin e kandidatit i cili i fitoi zgjedhjet e fundit në Prishtinë si një arkitekt profesionist e i cili do të bënte zgjidhje logjike e profesionale, nuk do duhej të shpërbleheshin kontraktorë të ndryshëm me kontrata milionëshe për arkitektin e kryeqytetit për të cilin do të shpenzohen 12 milionë euro, e miliona euro vetëm për konsulencë se si do duhet të rekrutohet ky arkitekt. A nuk e zgjodhën qytetarët arkitektin Përparim Rama?” ka shkruar tutje ai duke thënë se qeverisja në Prishtinë duhet të marrë si model lagjet e vjetra si Dardania, Ulpiana e Bregu i Diellit për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve. “Kështu duke mos bërë dallime në ndërtesa nga 24 katëshe në ndërtesa 8 katëshe e duke ja shtuar shëmtinë Prishtinës edhe më shumë se sa i është shtuar për 24 vitet e pasluftës”.
Qytetarë të lagjes “Kalabria” protestuan para mbledhjes së Asamblesë Komunale të premten. Ata protestuan për mosfutjen e planit të kësaj lagjeje në rendin e ditës në seancën e sotme. Nuk është hera e parë që qytetarët shprehin këtë pakënaqësi. Më 8 maj ishte diskutuar për planin e lagjes dhe banorët kishin hyrë në sallën e mbledhjeve në Asamblenë Komunale të Prishtinës duke kërcënuar se “do ta djegin Kuvendin” nëse nuk kalon në seancën e thirrur për 24 maj plani rregullues për këtë lagje. E një ditë më parë, 23 maj, në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa u vendos që të mos hyjë në rend dite plani rregullues për “Kalabrinë”. Përpjekja e kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, që ta fusë këtë pikë është quajtur kontrabandë nga opozita. Në kohën kur banorëve iu ishte premtuar që ky plan do të votohej brenda 3 muajve, koeficienti 2.4 ishte i parealizueshëm. Përveç që propozimi parasheh ndërtimin me këtë koeficient në shumicën e lagjes, problem për opozitën është koeficienti 7 i propozuar për parcelën e Stacionit të Autobusëve. Rritjen e koeficientit në hapësirë publike Rama e ka arsyetuar me mundësi të shpronësimeve për projektet madhore sikurse unaza e qytetit. Gjatë mbledhjes së kaluar banorët e “Kalabrisë” ishin prezentë në sallë dhe morën premtim se plani i lagjes do të jetë në rend dite më 24 maj.