Arbëri

Keqplanifikimi i buxhetit lë pa mbështetje familjet me kushte të rënda banimi

Keqplanifikimi i buxhetit në nivel lokal ka lënë pa mbështetje shumë familje me kushte të rënda banimi. Komuna e Fushë-Kosovës nuk ka adresuar 41 kërkesa për ndërtim ose rinovim të shtëpive, meqë buxhetin për raste të tilla e ka paraparë tek shpenzimet kapitale, të cilin pastaj qeveria nuk ia ka lejuar. Njohës të qeverisjes lokale thonë se ky buxhet duhej planifikuar te subvencionet.

Nuk kanë marrë zgjidhje 41 kërkesa për ndërtim të shtëpive apo rinovim të tyre që qytetarë të Fushë-Kosovës i kanë deponuar vitin e shkuar në komunë.

Autoritetet lokale fajësuan pushtetin qendror, meqë nuk ka lejuar buxhetin për t’u ndihmuar familjeve në nevojë, shkaku i kategorizimit tek financimi i investimeve kapitale.

Sipas drejtoreshës së Mirëqenies Sociale, Mimoza Kolshi, kërkesat kishin të bënin me ndërrim të dritareve, çative e me ndërtim të shtëpive për persona që nuk e kanë të zgjidhur banimin.

“Nga viti 2022 ne si Komunë nuk kemi të drejtë të ndërtojmë shtëpi apo të rinovojmë shtëpi në prona individuale, sepse nuk mund të regjistrohen si asete të Komunës pasuria individuale”, ka thënë Kolshi. 

Deri në 2021-n, me buxhetin e listuar tek investimet kapitale, komuna ka ndihmuar familjet në nevojë. Por, auditori ka gjetur se ky përbën keqplanifikim, meqë investimi i tillë kërkon që prona private pastaj të regjistrohet si pasuri e komunës.

Sadri Rrmoku, koordinator në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale, thotë se buxheti duhet rikategorizuar.

“Komuna me një kërkesë te Ministria e Financave mund ta bëjë një zgjidhje që të rikategorizohen këto investime, pra të kalojë nga kategoria e investimeve kapitale në kategorinë e subvencioneve, edhe këto shtëpi ose cilido investim që ka ndodhur t’u bartet familjeve”, ka thënë Rrmoku.

Edhe Bekim Salihu, hulumtues në Institutin GAP, e thotë këtë. Sipas tij, mbështetja e rasteve sociale përmes kategorisë së investimeve kapitale është e gabuar. 

“Shtëpitë për raste sociale duhet kategorizohen në shpenzimet e subvencioneve, nëse fjala është për ndërtim, ndërsa nëse bëhet fjalë për inventarizim, atëherë duhet shfrytëzuar mjetet nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve”, ka thënë Salihu. “Projektet kapitale nënkuptojnë projekte publike për qëllime publike që dedikohen dhe shfrytëzohen për një numër të konsiderueshëm qytetarësh. Rrjedhimisht, shfrytëzimi i këtyre mjeteve për një, dy, tre raste sociale nuk mund të konsiderohet që është përmbushur parimi i interesit publik, për rrjedhojë kërkesa që mjetet kapitale të mos shfrytëzohen për kategorinë sociale është kërkesë e duhur”.Komuna e Fushë Kosovës qeveriset nga LDK-ja, parti që në nivel qendror ndodhet në opozitë. Edhe ajo e Lipjanit udhëhiqet nga i njëjti subjekt politik, por zyrtarë të saj treguan se buxheti për t’i mbështetur rastet në nevojë u është lejuar, dhe është listuar tek kategoria e subvencioneve.

“Gjatë vitit 2023 dhe gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti janë mbështetur-subvencionuar gjithsej 10 familje në ndërtimin apo renovimin e shtëpive për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike... Mjetet financiare janë ndarë nga kategoria ekonomike e subvencioneve të planifikuara për Zyrën e Kryetarit të Komunës”, thuhet në një përgjigje të Komunës së Lipjanit. 

Gjatë vitit 2020 e 2021, komuna e Fushë Kosovës ka ndërtuar dhe rinovuar afër 50 shtëpi, me buxhetin e kategorizuar për investime kapitale. Për pasojë, pronat në të cilat është investuar, duhet të regjistrohen si prona komunale.

Sadri Rrmoku tha se duhet gjetur një zgjidhje.

“Komuna e ka një mundësi tjetër që këto asete ose shtëpi t’i regjistrojë si prona komunale edhe pastaj ta hap një proces të dhënies në shfrytëzim të këtyre pronave për familjet në nevojë”, ka thënë ai.

KOHA adresoi pyetje në Ministrinë e Financave dhe në atë të Infrastrukturës, por nuk pranoi përgjigje në lidhje me këto raste.

Në projektligjin e ri për banim social dhe të përballueshëm përfshihet edhe programi për rindërtim apo renovim të shtëpive në pronësi të përfituesit. Dokumenti ka kaluar fazën e konsultimeve publike, por ende nuk është miratuar.