Avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku dhe avokati Anton Nrecaj e kanë quajtur të gabuar reagimin e Federatës së Xhudos për Akil Gjakovën.
Gjakova po akuzohet për dhunë në familje, ndërsa pritet të dorëzohet në Polici sonte. Federata e Xhudos nëpërmjet reagimi ka thënë se beson në pafajësinë e tij.
Por ky reagim po quhet i gabuar nga dy avokatët.
Keqekolla-Sadiku në “Konfront” u shpreh se me këtë reagim, Federata i ka dalë në mbrojtje Akil Gjakovës.
Ndërsa Nrecaj u shpreh se si qytetar i Kosovës, Gjakova duhet të përgjigjet para drejtësisë.
Avokatja Keqekolla-Sadiku me kritika për gjyqtarët dhe qendrat për punë sociale
Avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku, ka kritikuar gjyqtarët dhe qendrat për punë sociale derisa ka folur për rastet e fundit të vrasjeve të grave në Kosovë.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Keqekolla-Sadiku ka thënë se ka gjyqtare gra që e gjykojnë rastin kur viktima është femër dhe vendosë mbi bindjet e saj antifeministe, duke mos u bazuar në meritat e rastit.
“Prej praktikës dhe përvojës sime, mendoj se në gjykatat e Kosovës, kjo është vështirësia më e madhe. Kemi gjyqtare gra, që e gjykojnë rastin ku viktima është femër dhe ka raste kur vetë gjyqtarja është antifeministe dhe nuk mund të vendosë në mënyrë të drejtë me merita të rastit. Të refuzohet sepse duhet pasur një provë të besueshme, a realisht e di që gjykata nuk ka vendosur drejt, por thirret në paanshmërinë e vendosjes, në bindjen e lirë të gjyqtarit. Konventat ndërkombëtare gjyqtarin e obligojnë të vendosë mbi bazën e shkresave të lëndës dhe asnjë gjyqtar nuk guxon të lëshojë vendim të paarsyetuar”, ka thënë ajo.
Keqekolla-Sadiku ka thënë se qendrat për punë sociale nuk i plotësojnë as kushtet minimale për t’u zhvilluar takimet mes fëmijëve dhe prindërve të tyre, teksa ka shtuar se në këto qendra nevojitet më shumë siguri.
“Te rastet mes bashkëshortëve ku përfundojnë me divorc dhe kanë fëmijë, fillojnë inatet personale dhe i vetmi mjet ku mund të kapen janë fëmijët, shkojnë në qendra për punë sociale, nuk kanë as kushte për t’i trajtuar, nuk i plotësojnë as kushtet minimale këto qendra për t’i zhvilluar takimet me fëmijë. Deri vonë qendrat për punë sociale nuk kanë pasur as psikologë”, është shprehur ajo.
Nrecaj: Ka drejtësi selektive, gruaja trajtohet si skllave
Avokati Anton Nrecaj ka thënë se gruaja trajtohet si skllave nga institucionet e drejtësisë.
Ai ka theksuar se një grua që përjeton dhunë në familje, bëhet edhe viktimë e institucioneve nëpër proceset që kalon pas denoncimit si rast.
“Përpos të qënit viktimë e dhunës në familje, më pas gruaja viktimizohet në procesin e divorcit, në procesit e alimentacionit, pastaj gruaja përfundon në procesin e ndarjes së pasurisë praktikë që gjykata jonë e ka qesharake – gruaja trajtohet si skllave – sepse sipas praktikës është diku 170 euro që ia llogaritë si kontribut në martesë. 170 euro është paga e një pastruesi, paga më e ultë. Institucioni i drejtësisë e trajton gruan në këtë nivel”, ka thënë ai në “Konfront”.
Nrecaj është shprehur se në Kosovë ka drejtësi selektive.
“Ka drejtësi selektive, një shembull, një qytetar që për një kafshatë goje detyrohet ta vjedhë një pulë dënohet me tre vjet burg, kurse një kriminel që ushtron prostitucion në lokale trajtohet si mbret. Ka joprofesionalizëm në trajtimin e rasteve”, ka përfunduar ai.
Ramaj: Sistemi i drejtësisë i stimulon dhunuesit
Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, është shprehur se beson se sistemi i drejtësisë në Kosovë i stimulon dhunuesit.
Ajo ka thënë se kur gratë e denoncojnë rastin në Policinë e vendit nuk janë për erë të parë aty. Sipas saj, për të ardhur deri te denoncimi gratë “përbijnë” disa herë dhunën.
“Sistemi i drejtësisë i stimulon dhunuesit. I lexova aktgjykimet në faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe vetëm me fjalën dhunë në familje, kur i lexon ato dhe sheh cfarë dënime kanë shqiptuar gjyqtarët e kupton pse niveli i dhunës në familje ka përmasa kaq shqetësuese”, ka thënë ajo.
Ramaj ka shtuar se janë të pakta gratë në Kosovë që për herë të parë e denoncojnë dhe për herë të parë rasti shkon në Polici.
Nrecaj: Vrasjet, pasojë e mosveprimeve të institucioneve të shtetit
Avokati Anton Nrecaj ka thënë se vrasjet e grave në Kosovë po ndodhin si pasojë e mosveprimit të institucioneve shtetërore.
Nrecaj në “Konfront” të KTV-së ka thënë se institucionet shtetërore nuk po veprojnë. Ka përmendur rastin kur vrasësi pasi e ka vra gruan ka nxjerrë pasaportë serbe e sot jeton i lirë.
“Vrasjet janë pasojë e vetë, mosveprimit të institucioneve të shtetit, e sot dalin të vajtojnë jo kështu jo ashtu. Vepro. Që 20 vjet s’po veprojnë. Kemi raste kur gratë janë vra, vrasësi ka ikë e ka nxjerrë pasaportë serbe dhe sot jeton i lirë, e shijon jetën e vetë. Kemi aktgjykime të Kushtetueses, dy të tilla, ku Kushtetuesja i lë fajtore institucionet e shtetit. Ku është përgjegjësia institucionale”, tha Nrecaj.