Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka kërkuar efikasitet në trajtimin e kallëzimeve penale, në takimin që mbajti me kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në takim u diskutua mbi trajtimin dhe ecurinë e procedimit të kallëzimeve penale brenda afateve ligjore - veçanërisht atyre me kryerës të panjohur, angazhimin e prokurorëve të shtetit në shkatërrimin e narkotikëve të konfiskuar në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe avancimin e përdorimit të Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL) nga ana e kryeprokurorëve dhe prokurorëve.
“Në frymën e këtij diskutimi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit theksoi rëndësinë e ngritjes së efikasitetit dhe efektivitetit në punën e prokurorive dhe kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët të vazhdojnë përpjekjet e tyre në përmbushjen e këtyre qëllimeve institucionale”, u njoftua përmes një komunikate nga ZKPSH.