Arbëri

KEK-u për akuzat e Bajramit: Kush ka informata t’i dërgojë në organet e drejtësisë

KEK

Korporata Energjetike e Kosovës ka thënë se kushdo që ka informata të bazuara për korrupsion brenda kësaj korporate, t’i dërgojë ato në organet e drejtësisë, në një përgjigje për akuzat e deputetes Hykmete Bajrami që akuzoi Qeverinë për “korrupsion serioz qeveritar” në KEK.

Në një përgjigje për KOHËN, të martën KEK-u ka thënë se nuk i komenton deklaratat politike.
“Korporata Energjetike e Kosovës KEK sh. a.  ju bënë me dije se  nuk i komenton deklaratat politike. Megjithatë për informimin e juaj, KEK në vazhdimësi ka inkurajuar secilin person që ka ndonjë informatë të bazuar (me dëshmi) të deponojë në organet relevante të drejtësisë”, thuhet në një përgjigje të zëdhënësit të KEK-ut, Skënder Bucolli.

Më 3 qershor, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se në KEK ka korrupsion me kontrata njëburimore.

“Sot, me 3 qershor, 2024 sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar kontratën e 16-të njëburimore/pa publikim të njoftimit për kontratë me të njëjtën kompani. Pra negocim direkt 16 herë me kompaninë e njëjtë. Derisa të premten me po të njëjtën kompani është nënshkruar kontratë në vlerë 448, 251.13 Euro, sot kontrata tjetër që u publikua nga KRPP-ja është në vlerë prej 443.638,00. Dmth. për dy muaj (qershor-korrik) shërbime të sigurimit një kompani me kontratë   njëburimore merr afër 900 mijë euro”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Lidhur me këto akuza KOHA ka pyetur edhe Qeverinë dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.