Raporti i Komisionit Evropian ka identifikuar probleme të mëdha edhe në shëndetësi. Në të theksohet të jenë bërë shpenzime të larta të pacientëve e investime të ulëta nga shteti në këtë sektor. Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në partinë në pushtet nuk i komentuan gjetjet.
Ndonëse Kosova ka shënuar rritje të buxhetit për shëndetësi, investimet në këtë sektor janë të ulëta e shpenzimet që pacientët bëjnë nga xhepi i tyre janë të larta, është theksuar në Raportin për Kosovën që ka publikuar Komisioni Evropian.
Edhe në Raportin e sivjetmë është vlerësuar se cilësia e kujdesit shëndetësor mbetet shqetësim për shëndetin publik.
“Megjithëse Kosova ka rritur buxhetin për shëndetësinë prej rreth 14.2% në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, shpenzimet për shëndetësi si pjesë e GDP-së mbeten të dytat më të ulëtat në rajon dhe ndjeshëm më të ulëtat se mesatarja e BE-së”, thuhet në Raport.
Edhe në këtë raport është theksuar se jetëgjatësia e foshnjave mbetet më e ulëta në rajon e shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve më e larta.
Kosova përsëri ka marrë kritika për mospërdorimin e sistemit informativ shëndetësor dhe për mungesë të një regjistri funksional të kancerit. Në të është theksuar si problem serioz pabarazia në shëndetësi.
“Ngarkesa financiare ka qenë veçanërisht e madhe për segmentet e cenueshme dhe të varfra të shoqërisë së Kosovës, përfshirë njerëzit me sëmundje kronike që kanë nevojë për medikamente në mënyrë të rregullt”, thuhet në Raport.
Ministria e Shëndetësisë nuk u është përgjigjur gjetjeve të Komisionit Evropian dhe ka kërkuar nga KOHA që pyetjet të drejtohen në institucione të tjera edhe për çështje që prekin Ministrinë.
“Lidhur me pyetjet e juaja luteni që t’i drejtoheni Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Klinikës së Neonatologjisë / SHSKUK për përgjigje”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Për vërejtjet nuk kanë folur as deputetë të partisë në pushtet, me arsyetimin se nuk e kanë lexuar Raportin.
E, gjetjet e Raportit janë vlerësuar brengosëse nga deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, i cili është anëtar i Komisionit parlamentar për shëndetësi.
“Sa i përket rritjes dhe kostos që paguan qytetari nga xhepi i vet për shërbimet shëndetësore është e vërtetë se 40%, që është një çmim shumë i madh, mirëpo kjo punë ka pasur mundësi të kryhet sikur të kishte pasur një vullnet politik të mirëfilltë, gjë që ka munguar si shihet deri më sot”, ka thënë Dreshaj.
E deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu, ka thënë se Raporti ka identifikuar dështimet e Ministrisë në menaxhimin e sektorit të shëndetësisë.
“Shpenzimet nga xhepi mbeten shumë të larta, që do të thotë se kjo është barrë për qytetarët të cilët detyrohen që të paguajnë për shërbime shëndetësore, t’i blejnë vetë barnat, sepse ende nuk kemi sigurime shëndetësore, nuk kemi nivelim të çmimeve të barnave, listat e pritjes në shumicën e klinikave janë të gjata, etj. Pra, pacientët detyrohen të drejtohen në sektor privat dhe kjo e rëndon xhepin e tyre dhe e bën të vështirë jetesën në Kosovë”, ka deklaruar Zejnullahu.
Koment rreth Raportit nuk kanë dhënë në Lidhjen Demokratike.