Arbëri

KE-ja inkurajon Kosovën e Serbinë t’i normalizojnë marrëdhëniet

Kosova, Bashkimi Evropian

Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjeve për rrugën drejt normalizimit.

Në raportet vjetore të progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Komisioni Evropian për Kosovën ka thënë se autoritetet mbesin të përkushtuara në rrugën drejt integrimit evropian.

Aty theksohet se Komisioni Evropian pret nga të dyja palët që t’i implementojnë obligimet nga Marrëveshja. Te Kosova theksohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Në raport po ashtu sulmi i Banjskës është cilësuar si përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit.

Kosova inkurajohet t’i intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Në dokumentin për Kosovën thuhet se ka progres të kufizuar në luftimin e korrupsionit. Megjithëkëtë sipas këtij dokumenti, ka pasur përparim në gjykimin e rasteve të korrupsionit, që ka rezultuar në numër më të madh të vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Sipas këtij raporti, rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht.

Sipas KE-së, Kosova gjatë vitit të ardhshëm në veçanti duhet të forcojë kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, të zbatojë legjislacionin ekzistues kundër korrupsionit e të miratojë një strategji kombëtare dhe plan të veprimit kundër korrupsionit.

Po ashtu është kërkuar që të forcohet cilësia e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

Progres i kufizuar është identifikuar edhe në funksionimin e gjyqësorit.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, vonesat dhe vështirësitë për të hartuar reformat në drejtësi tregojnë për një përsëritje të mungesës së vullnetit për të forcuar sistemin e drejtësisë.

Disa përparime janë identifikuar në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë. Në raport është lavdëruar reagimi ndaj sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku thuhet se Policia e Kosovës ka treguar nivel të lartë të profesionalizmit.

Mes tjerash, në raport është kritikuar funksionimi i Kuvendit, për të cilin është thënë se ka një sërë sfidash në ushtrimin e kompetencave të tij.

Si pengesë për miratimin e legjislacionit janë identifikuar edhe mosmarrëveshjet e mungesa e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe partive opozitare.

Mungesë e bashkëpunimit ndërpartiak është identifikuar edhe sa i përket realizimit të reformave të BE-së në mënyrë më efektive.

Kosova është vlerësuar se ka bërë përparim të kufizuar edhe sa i përket forcimit të kapaciteteve të saj në përballje me presionin konkurrues dhe forcave të tregut në BE.

Është kërkuar që të harmonizojë arsimin me nevojat e tregut të punës. Kërkesë tjetër ishte edhe që të mos ndërmarrë masa të njëanshme tregtare pa arsyetime pa u konsultuar paraprakisht me Komisionin.