Arbëri

KDI: Për 57.2 për qind të qytetarëve, performanca e sektorit të drejtësisë ka mbetur e njëjtë

KDI

Foto: Driton Paçarada

Për 57.2% të qytetarëve, performanca e sektorit të drejtësisë ka mbetur e njëjtë, pavarësisht reformave për tri vjet, sipas një sondazhi të Institutit Demokratik të Kosovës.

Në një konferencë për media, KDI-ja ka thënë se raporti ka vlerësuar se reforma në drejtësi – që ishte ndër prioritetet kyçe të Qeverisë Kurti – edhe pse është iniciuar në disa nisma ligjore, s’është përmbyllur dhe nuk i ka përmbushur pritshmëritë e qytetarëve për gjyqësor më efektiv dhe trajtim më efikas të rasteve të korrupsionit.

19.8 për qind e qytetarëve që janë anketuar kanë vlerësuar se performanca e institucioneve të drejtësisë është përmirësuar. Për 17.8 për qind situata është përkeqësuar.

KDI-ja ka thënë se Qeveria duhet të vijë me alternativë tjetër për jetësimin e Vettingut, që Ligji për Këshillin Prokurorial t’i adreosjë opinionet e Komisionit të Venecias e se Gjykata Kushtetuese në trajtimin e Projektligjit të Byrosë, ka tejkaluar periudhën optimale të dhënies së përgjigjes duke vënë në pritje zbatimin e këtij ligji.

Qytetarët e anketuar kanë vlerësuar që presin që të zvogëlohen vonesat në trajtimin e rasteve në Gjykata, si aspekti më i rëndësishëm për ta. 

Ky hulumtim i opinionit publik është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç. Periudha e anketimit përfshin datën nga 6 deri me 15 qershor 2024.