Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka cilësuar cenim të mandatit kushtetues të deputetit, pengimin që deputetët e Vetëvendosjes ua bënë atyre të Listës Serbe të enjten në Kuvend.
Deputetët e VV-së penguan ata të kësaj partie duke u thënë se shkojnë në Kuvend vetëm për nënshkrim dhe të sigurojnë pagën. Ndërsa kryeparlamentari, Glauk Konjufca, u tha se këta deputetë keqpërdorin para të taksapaguesve duke marrë pjesë vetëm njëherë në gjashtë muaj në seanca. Ai i akuzoi këta deputetë edhe se e luftojnë Kosovën me çdo mjet.
KDI-ja ka thënë se kjo s’ka qenë hera e parë që Lista Serbe është paraqitur në Kuvend vetëm për qëllime të mospërfundimit të mandatit. Megjithatë, sipas kësaj organizate, pengimi i detyrës është “cenim i mandatit kushtetues të deputetit”.
“KDI, në vazhdimësi ka kritikuar Listën Serbe për mospjesëmarrje në punën e Kuvendit, duke vlerësuar që mospjesëmarrja e tyre e minimizon hapësirën për komunikim midis komuniteteve jo-shumicë dhe pushtetit. Për më keq, mospjesëmarrja e Listës Serbe ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në procedurat ligjvënëse, sidomos për ato që kërkojnë shumicën e dyfishtë. Sipas ligjit, deputetët i nënshtrohen vetëm ndërgjegjes së tyre, andaj edhe bojkoti – si mjet politik – ndonëse e dobëson efikasitetin e Kuvendit dhe cenon përfaqësimin e interesave të qytetarëve, nuk mund të përdoret si arsye për pengim të pjesëmarrjes së deputetëve në punimet e Kuvendit”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Siç ka kujtuar kjo organizatë, sipas Rregullores, deputetët mund të largohen nga seanca, vetëm në rast se ata përdorin fjalë fyese, cenojnë personalitetin e kryesuesit të seancës ose deputetëve tjerë, apo vazhdojnë të bëjnë shkelje në raport me të cilat paraprakisht janë sanksionuar. Ndërsa, ndërprerja e seancës mund të bëhet vetëm në rastet kur në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk respektohet kërkesa e kryesuesit të seancës për mbajtjen e rregullit.