Arbëri

KDI-ja kritikon Kuvendin për vonesa në përmbushje të zotimeve në Procesin e Berlinit

Instituti Demokratik i Kosovës ka shprehur kritika ndaj institucioneve për vonesa në përmbushjen e obligimeve që derivojnë nga Procesi i Berlinit. E, deputetë opozitarë e akuzuan Qeverinë se është duke e rrezikuar pjesëmarrjen në këtë proces dhe është duke e bllokuar rrugën evropiane

Kuvendi i Kosovës është treguar i ngadaltë në përmbushjen e zotimeve që dalin nga Procesi i Berlinit, kanë vlerësuar të mërkurën përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Violeta Haxholli, menaxhere e projekteve në KDI, tha se në disa raste Kuvendi nuk e ka kryer rolin e tij as ligjvënës, por as mbikëqyrës ndaj obligimeve që dalin nga ky Proces.

“Kemi pasur vonesa në miratimin e disa projektligjeve të rëndësishme për Procesin e Berlinit. Por ajo më serioze ka qenë çështja e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat janë vonuar për një kohë të gjatë, për shkak të mungesës së numrave në Kuvend”, ka thënë Haxholli. “Marrëveshja e fundit që është nënshkruar në Samitin e Tiranës në vitin 2023 për zgjerim të profesioneve në fushën e farmacisë dhe mjekësisë, është ratifikuar në Kuvend me 6 muaj vonesë”.

Përmbushja e detyrave të Procesit të Berlinit u diskutua në tryezën e KDI-së bashkë me anëtarë të Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian.

Opozita e akuzoi Qeverinë se me veprime të pakoordinuara me aleatët po rrezikon largimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit.

Blerta Deliu, deputete e PDK-së, ka thënë se kërcënimet që kanë ardhur nga Gjermania për përjashtim të Kosovës nga një proces tejet i rëndësishëm, duhet të merren me shumë seriozitet nga Qeveria. 
“Unë nuk dua të besoj që kjo është një retorikë boshe e një shteti, i cili paralajmëron që në rast se ne si Kosovë nuk sillemi si palë konstruktive dhe nuk i marrim në konsideratë rekomandimet e aleatëve, do të rrezikojmë të humbasin rrugën tonë euroatlantike. Dëmi më i madh i Kosovës do të jetë dëmi ekonomik”, ka thënë Deliu.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka theksuar se në vend që Qeveria të angazhohet e të lobojë për rritjen e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë nismë dhe të avancojë në procese të tjera evropiane, ajo ka zgjedhur që të refuzojë të gjitha propozimet e të mos pranojë asnjë ide e zgjidhje nga ana e aleatëve ndërkombëtarë. 

“Ky është serioziteti i kësaj qeverie karshi dokumenteve strategjike e reformave më të rëndësishme që ndërlidhen me proceset integruese të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

E, Time Kadrijaj, deputete e AAK-së, ka bërë thirrje për koordinim veprimesh me partnerët ndërkombëtarë.

“Ne duhet të hapërojmë bashkë me miqtë tanë që i kemi përkrahës dhe të mos veprojmë njëanshëm, të mos veprojmë të pakoordinuar me aleatët tanë, sepse sa herë që nuk jemi koordinuar, për Kosovës nuk ka qenë mirë. Dhe, ne e shohim që jemi të sanksionuar”, ka thënë Kadrijaj.

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka paralajmëruar mundësinë e përjashtimit të Kosovës nga Procesi i Berlinit në rast se Qeveria nuk e heq masën e sigurisë të vendosur për mallrat e importuara nga Serbia.

Sipas deputetes së Vetëvendosjes, Fjolla Ujkani, nuk ka arsye as për sanksionim e as për përjashtim të Kosovës, meqë masat e vendosura ndaj Serbisë nuk kanë qenë ekonomike. 

“Këto masa, të cilat ne si Qeveri që i kemi vendosur janë masa të sigurisë dhe nuk janë masa ekonomike ashtu siç mundohet të plasohet në publik”, ka thënë Ujkani.

Sivjet do të shënohet 10-vjetori i lansimit të Procesit të Berlinit, nismë që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e tyre në BE.