Arbëri

KDI: Është thelbësore që seanca konstituive të vazhdojë brenda afatit 48-orësh

kuvendi

Foto: Driton Paçarada

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se pas ndërprerjes së seancës konstituive të martën, është thelbësore që ajo të vazhdojë brenda afatit 48-orësh, siç thuhet, të përcaktuar në Rregulloren e punës së Kuvendit. 

Sipas KDI-së çdo tejkalim i këtij afati do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të Rregullores.

“Kryesuesi i seancës konstituive, si autoritet i përkohshëm deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, ka obligim të qartë për të garantuar vazhdimësinë e punimeve dhe për të zbatuar pa devijime procedurat e përcaktuara. Rregullorja nuk lejon shtyrje të njëanshme, as nuk parasheh hapësirë për ndërhyrje ose kërkesa për interpretim nga akterë të tjerë institucionalë. Madje, rikujtojmë që, edhe në rast mungese apo refuzimi nga ana e deputetit më të vjetër në moshë për ta drejtuar seancën, Rregullorja parashikon zëvendësimin e tij me deputetët tjerë sipas të njëjtave kritere, për të siguruar që procesi nuk pengohet nga vullneti i një individi të vetëm”, thuhet në një komunikatë të KDI-së.
KDI-ja ka rithekson se pjesëmarrja dhe angazhimi i deputetëve në vazhdimin e seancës është obligim formal e kushtetues, por edhe test politik për seriozitetin e legjislaturës së re. 

“Përpjekjet potenciale për ta zvarritur procesin – përfshirë vonesat apo mungesat – janë të papranueshme dhe në kundërshtim me mandatin që qytetarët u kanë besuar përfaqësuesve të tyre, si dhe e shtyjnë Kuvendin drejt një krize të panevojshme funksionaliteti”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se funksionimi i Kuvendit është jetik për proceset që e presin Kosovën. “...ndërsa pritjet e qytetarëve nuk janë vetëm që të garantohet normalitet i punës së Kuvendit, por që të ketë një dinamikë tërësisht tjetër sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative, mbikëqyrjes parlamentare dhe përfaqësimit të nevojave të qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Një ditë më parë, Kuvendi dështoi t’i verifikonte mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Opozita e deritashme tha se votoi kundër me pretekstin se kryeministri dhe ministrat, duan të marrin post të deputetit “ende pa dhënë dorëheqje”. E zyrtarët qeveritarë kanë thënë se pas përfundimit të mandatit, para certifikimit si deputetë, llogaritet të jenë efektivisht të dorëhequr. Kësisoj, edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se e ka dërguar një letër të konfirmimit të dorëheqjes te kryetari i deritashëm i Kuvendit.

Pas dështimit të verifikimit të mandateve, seanca u ndërpre.