Ka filluar që të rritet sërish lista e pritjes së pacientëve për ta kryer rezonancën magnetike, incizim që tregon imazhe të detajuara të trupit. Një pacient tregoi se në QKUK i është caktuar termini për qershor. Ndërkaq, për ta kryer të njëjtin shërbim, me muaj duhet pritur edhe në spitalet rajonale
Në Klinikën e Radiologjisë është rritur koha e pritjes së pacientëve për rezonancë magnetike.
Gjatë qershorit të vitit të kaluar pritja për të kryer këtë shërbim ra në një muaj e gjysmë. Por, pacientë që u është dashur ky ekzaminim në muajin shkurt, tregojnë se terminët u janë caktuar tek për në muajin qershor.
Njëri nga ta tregoi në kushte anonimiteti se nuk mundi ta kryejë këtë incizim që tregon imazhe të detajuara të trupit.
“Që disa javë kam dhimbje të mëdha të këmbës dhe shpinës, aq sa nuk mund të qëndroj në këmbë. Kam shkuar për kontrolle. Më kanë kërkuar të bëjë një rezonancë magnetike për të parë më saktë se çfarë kam. E kur shkova ta bëj, më thanë që duhet të pres edhe katër muaj”, i ka thënë KOHËS një pacient.
Për listën e pritjes për rezonancë magnetike në Klinikën e Radiologjisë, KOHA ka kërkuar të bisedojë me drejtoreshën Shkendije Nuza, mirëpo menaxhmenti i SHSKUK-së nuk ka aprovuar kërkesën prej më shumë se dy ditësh.
Aktualisht Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) ka 6 aparatura për rezonancë magnetike. Tri sosh ndodhen nëpër klinikat e QKUK-së. Një aparaturë e re u funksionalizua në Spitalin Pediatrik në qershorin e 2023-tës, e në dy vitet e fundit me to u bënë edhe Spitali i Prizrenit dhe ai i Pejës.
Ndonëse KOHËS nuk iu ofruan përgjigje për arsyet e rritjes së kohës së pritjes së pacientëve, SHSKUK-ja një ditë më parë publikoi një komunikatë, sipas së cilës në 2024-tën u realizuan mbi 16 mijë rezonanca magnetike.
Lista të pritjes janë krijuar edhe në spitalet e përgjithshme.
Në atë të Pejës bënë të ditur se pacientët presin deri në dy muaj.
“Gjatë vitit të kaluar 2024 kemi kryer 2,622 rezonanca magnetike me një mesatare prej 10 rezonancave në një ditë të punës. Gjatë muajit janar 2025 kemi kryer 198 rezonanca magnetike që përsëri i bije mesatarisht 10 rezonanca në një ditë pune. Kërkesa për Rezonanca magnetike për pacientët ambulatorë ka në vijimësi dhe ato janë në rritje, ndërsa që lista e pritjes shkon deri në 2 muaj. Për momentin që po ju shkruajmë, lista e pritjes është deri më 15 prill 2025”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Pejës.
E në Spitalin e Prizrenit thanë se mesatarja ditore e incizimeve të këtilla është 13 deri në 15, dhe se lista e pritjes është deri në muajin maj.
“Brenda ditës realizohen 13-15 rezonanca magnetike me termin dhe në raste ekzaminohen edhe pacientë me urgjencë. Zakonisht kërkesat ditore për rezonancë magnetike janë më të mëdha, por kapaciteti si në stafin mjekësor ashtu edhe në aparaturë na mundëson të realizohen jo më shumë se 15 pacientë. Gjatë vitit 2024 janë realizuar gjithsej 1,485 rezonanca magnetike, ndërsa në janar deri me 13 shkurt 2025 janë realizuar 365 rezonanca magnetike. Lista e pritjes për realizimin e rezonancës magnetike momentalisht është prill-maj 2025”, thuhet në përgjigjen e këtij spitali.
KOHA raportoi në janar se SHSKUK-ja ka mbetur për më shumë se katër muaj edhe pa kontrast, material i nevojshëm për qartësimin e imazheve gjatë incizimit që u bëhet organeve.