Arbëri

Katedra Ndërkombëtare e Fakultetit Juridik i quan johumane rekomandimet e KE-së kundër Hasanit

Enver Hasani - Profesor i së drejtës

Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare e Fakultetit Juridik ka kundërshtuar rekomandimin e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës për t’ia ulur gradën akademike Enver Hasanit nga profesor i rregullt në profesor i asocuar. 

Në një parashtresë të katedrës të cilin e ka siguruar KOHA, i është bërë thirrje Senatit të Universitetit që t’i refuzojë rekomandimet e Këshillit të Etikës si juridikisht të pabazuara, të paarsyeshme dhe thellësisht johumane.

Nga katedra është thënë se më 20 prill të vitit 2023, anëtarët janë informuar se profesori Enver Hasani ka marrë diagnozën e parë me sëmundjen e rëndë të leukemisë dhe se ajo pritej që të konfirmohej edhe jashtë vendit dhe potencialisht të fillohej trajtimin brenda dhe jashtë Kosovës. 
Nga katedra është thënë se në mbledhjen e radhës ishte diskutuar për mbulimin e orëve të ligjëratave të profesorit Hasani. 

“Qëndrimi i përbashkët i katedrës, i marrë më datën 2 tetor 2023, për t’i mbuluar orët e Prof. Hasanit është marrë duke pasur parasysh se natyra malinje e sëmundjes së rëndë dhe trajtimit është krejtësisht e paparashikueshme. Prandaj as për profesorin e as për anëtarët e katedrës nuk ka mundur të dihet se për sa kohë do të kërkohej zëvendësimi i kolegut – për ndonjë javë apo për më tepër. Me kalimin e kohës, rëndimit të gjendjes shëndetësore të Prof. Hasanit për shkak të terapisë, anëtarët e katedrës sonë kanë vazhduar ta konfirmojnë gatishmërinë për t’i mbuluar orët si njëri nga minimumet e mundshme të sjelljes humane dhe kolegiale në një situatë të këtillë”, thuhet nga katedra. 

Nga katedra është thënë se është shqetësuese se si sëmundja e leukemisë dhe trajtimet me kimioterapi dhe të tjera, nuk përbëkan “rast tejet përjashtimor dhe atë për shkaqe dhe arsye legjitime, të cilat arsyetime duhet të jenë bindëse”, siç është thënë në vendim të Këshillit të Etikës. 
Pjesë e Katedrës të së Drejtës Ndërkombëtare është edhe ish-rektori Qerim Qerimi, që është në detyrë deri të martën. Nga katedra është thënë se Hasani ka pasur edhe lejen e rektorit të atëhershëm Qerimi. 

“Në diskutimin e atëhershëm të përbashkët elektronik të katedrës, të bërë më 20 prill 2023, rektori i atëhershëm, përveç që kishte shprehur keqardhjen dhe mbështetjen për Prof. Hasanin, ka thënë (shkruar) se nuk është e nevojshme që të ndiqen formalitetet e tjera me dokumentim të situatës dhe kërkimit të lejeve, duke e konsideruar të mjaftueshëm juridikisht këtë komunikim elektronik brenda katedrës”, thuhet nga katedra. 

Këshilli i Etikës (KE) i Universitetit të Prishtinës të premten i ka rekomanduar Senatit uljen e gradës akademike për Enver Hasanin nga profesor i rregullt në profesor të asocuar. Rekomandimin e Këshillit të Etikës, Hasani i quajti si “vepër të dy huliganëve, Avni Pukës dhe Iset Morinës”. Puka është dekan në Fakultetin Juridik, ndërsa Morina është kryesues i Këshillit të Etikës.

Përveç degradimit, Këshilli i Etikës ka rekomanduar edhe revokimin e mirënjohjeve dhe privilegjeve të Hasanit si ish-rektor i UP-së, mohimin e pjesëmarrjes së Hasanit në komisione profesionale për tri vjet si dhe mospërfshirjen në mentorim të të gjitha niveleve për një vit vijues duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Gjithashtu, Këshilli i Etikës ka paraqitur vërejtje me shkrim për Hasanin që të përmbahet nga çfarëdo “gjuhe e papërshtatshme, fyese, pa takt akademik dhe denigrues ndaj personelit dhe punëdhënësit të UP-së”.

Parashtresa e Katedrës