Sead Ujkani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se partitë politike duhet të kenë fokus sektorin privat kur bëhet fjalë për zhvillim ekonomik.
Ai ka thënë se për herë të parë në fushatë partitë politike kanë nisur të prekin çështjen e mungesës së investimeve në prodhim.
“Në bazë të programeve që kemi në këtë fushatë zgjedhore, është inkurajuese që për herë të parë partitë, sidomos opozitare, po e godasin këtë aspekt, sidomos PDK-ja, LDK-ja, po mundohen ta adresojnë mënyrën se si të stimulohet rritja e produktit vendor që do ta plotësonte ofertën me produkte vendore sa i përket tregut vendor e do të nxiste mundësinë për investime përkatësisht eksport”, ka thënë ai në debatin e së premtes.
Ujkani ka deklaruar se rritja e premtuar e pagave bëhet për shkak të “presionit, për shkak të inflacionit” me të cilin janë përballur qytetarët. Ai ka thënë se rritja e pagës duhet të kuptohet si nevojë për indeksim sa i përket ndikimeve negative që ka pasur inflacioni.
Sipas tij, debati sa i përket çështjeve ekonomike në këtë fushatë zgjedhjesh duhet të orientohet tek ulja e deficitit tregtar, e që kjo të ngrisë debat të mirëfilltë mes sektorit publik dhe privat.
“Duhet kuptuar që rrjedhat globale po ndryshojnë në vazhdimësi dhe sektori publik duhet të ketë vetëm rolin e lehtësuesit dhe assesi të penguesit, dhe natyrisht fokusi duhet të jetë te zhvillimi i sektorit privat. E zhvillimi i sektorit privat do të ketë efekt zinxhiror dhe në rrjedhat e gjithmbarshme ekonomike në vend”, ka thënë ai.
Duke folur për lëvdatat e Lëvizjes Vetëvendosje për disiplinë fiskale, Ujkani ka thënë se shteti ka pasur nevojë për një gjë të tillë, por ka deklaruar se “koncepti i kursimit në kuadër të financave publike nuk nënkupton mosshpenzim të mjeteve, por alokim të duhur dhe shpenzim produktiv”.
Ai ka kritikuar të gjitha qeverisjet e deritashme për planifikim të dobët në investimet kapitale.
Kastrati: PDK-ja me premtime të ngjashme si VV-ja, LDK-ja me hiperbola
Albulena Kastrati, profesoreshë në Universitetin e Massachussetts e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka komentuar programet zgjedhore të ri partive më të mëdha parlamentare, në fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në debatin për “Ekonominë dhe mirëqenien si premtim” në KTV të premten, Kastrati ka thënë se Vetëvendosje nuk ka program të ri, por se do të vazhdojë me premtimet e mandatit të parë. Ajo ka lavdëruar “disiplinën fiskale të treguar nga VV-ja në mandatin e deritashëm”.
Ndërsa për programin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kastrati ka thënë se në çështjet ekonomike ka hasur premtime të ngjashme me Vetëvendosjen. Këtu ka përmendur “rritjen e pagave” dhe “skemat sociale për të rinjtë”.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Kastrati ka thënë se po jep premtime të hiperbolizuara, duke përmendur “koeficientin 150 euro, 5000 eurot për fëmijën e tretë, privatizimin e Telekomit”.
Ujkani: Për herë të parë, ekonomia po gëzon prioritet gjatë fushatës zgjedhore

Profesori i Fakultetit Ekonomik, Sead Ujkani ka thënë se për herë të parë në një fushatë zgjedhore ekonomia po gëzon prioritet, madje edhe në diskutimet e debateve politike.
Ujkani gjithashtu vlerësoi Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike që kanë vendosur të kandidojnë për kryeministër njerëz të profilit ekonomik, përkatësisht Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku.
“Kemi qenë dëshmitar të një periudhe sfiduese që ka ardhur si pasojë e inflacionit dhe mosrealizimit të duhur të buxhetit dhe investimeve kapitale. Fatmirësisht këto po adresohen në një fushatë zgjedhore, ku ekonomia po e gëzon fokusin pak më shumë dhe është e mirëseardhur që dy prej partive opozitare kanë vendosur kandidat për kryeministër me profil ekonomik. Për herë të parë, ekonomia po e gëzon një prioritet sa i përket diskutimit të debatit politik”, ka thënë ai në debatin në KTV të premten.
Megjithatë, sipas Ujkanit, po mungon ballafaqimi i madh mes liderëve politikë.
“Më gëzon fakti që ka ngritje të vetëdijes të qytetares për të analizuar dhe dëgjuar ofertën ekonomike të partive politike, që është shumë e rëndësishme për demokracinë. Në anën tjetër po sfidohen partitë që të sjellin projekte që ndikojnë në të mirën e qytetarëve. Po mungon debati i mirëfilltë i platformave ekonomike për zhvillim të vendit. Nëse themi se do të ndërtohet shkolla, spitale, atëherë pyetja është cili është modeli i ardhshëm ekonomik. Fatkeqësisht kryesisht po lokalizohet në platforma të ndryshme, nuk po kemi ballafaqim të madh midis liderëve politike”, ka theksuar ai.
Bellaqa: Partitë flasin për ekonominë, por nuk merren me të kur vijnë në pushtet

Ekonomisti Jakup Bellaqa ka thënë se partitë politike flasin për ekonomi gjatë fushatës, por nuk merren me të kur vijnë në pushtet.
“Të gjithë flasin gjatë fushatës për ekonomi, por kur vijnë në qeverisje, askush nuk merret me ekonominë. Nuk e kanë pas prioritet sepse popullsia është e madhe, Kosova është zbrazur nga të rinjtë dhe të rejat, inflacioni është shumë i lartë, pagat janë të ulëta. Është e mirëseardhur ngritja e pagave në fund të mandatit, por nuk është i mjaftueshëm. Jemi ekonomi e ndërvarur”, ka thënë ai në KTV.
Sipas tij, zgjidhja nga partitë politike nuk është konkrete.
“Zgjidhja është kontrolli i ekonomisë nga shteti. Shteti dhe ekonomia duhet të bashkëpunojnë, duhet ta plotësojnë njëri-tjetrin. Zgjidhja e partive nuk është konkrete. Duhet të ketë reformë të thella energjetike. Ekonomia është politizuar. Agjenda politike ka dominuar mbi agjendën ekonomike”, ka thënë Bellaqa.
Zogaj: Zhvillimi ekonomik nuk vërehet nga qytetarët në praktikë

Gazetari Sefer Zogaj ka deklaruar se statistikat e përdorura nga pushteti dhe opozita për çështjet e zhvillimit ekonomik në 4 vjetët e fundit dallojnë nga teoria në praktikë.
Duke folur në debatin për ekonomi në KTV, Zogaj ka thënë se Vetëvendosja në pushtet ka përdorur “vitin magjik të pandemisë 2020” për të bërë krahasim të zhvillimit ekonomik.
“Por ekonomia dhe statistika meqë janë teorikisht lehtë të manipulueshme praktikisht kjo s’mund të ndodhë sepse njerëzit kur e marrin shportën në market e vërejnë praktikisht a ka zhvillim ekonomik apo jo. Mbi 20 për qind ka rritje të pagës që shkon për shpenzime produkte ushqimore dhe pije joalkoolike. Në nivel të përgjithshëm kjo mbërrin në 55 për qind e pagës. Në vitin 2020 ka qenë paga mesatare bruto 466 euro. Në vitin 2023, paga shkon 570 euro. 104 euro rritje për tri vjet e inflacioni kur pretendohet se është 1.5 për qind, kjo matet për të gjitha llojet e produkteve edhe lëndët e para që importohen, por produktet bazike ka pas raste 25 për qind. Meqë paga mesatare është 570 euro dhe 50 për qind shkon direkt për produktet esenciale, inflacioni është shumë i prekshëm. S’mund të pretendohet 1.5 për qind kur matja bëhet për të gjitha produktet e mundshme”, ka thënë ai.