Bazuar në rezultat dhe vlerësimet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Kosova ka 1,602,515 banorë. Sipas ASK-së, Kosova i ka 1,586,659 banorë të regjistruar, por se është bërë edhe vlerësimi për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku procesi i regjistrimit ishte bojkotuar, dhe është nxjerrë numri i përgjithshëm.
Avni Kastrati, ushtrues detyre i drejtorit të ASK-së, ka thënë se vitin e ardhshëm planifikojnë të publikojnë edhe 25 raporte në fusha të caktuara. Ai ka thënë se do të jetë raport për banesa, kushtet e jetesës, transportin, përkatësinë etnike, për bujqësinë, fushën e arsimit, e të tjera.
Ndërkohë, ka treguar disa dallime që janë gjetur tash krahasuar nga regjistrimi paraprak i popullsisë më 2011.
“Përveç rënies së popullsisë, edhe indikatorë të tjerë, për shembull te struktura e popullsisë ka ndryshime te grupmosha. Në të kaluarën popullsisë e mbajtur mbi 65 vjeç ka qenë rreth 6%, tani është dyshifror. Mbi 11% e popullsisë në Kosovë është mbi 65 vjeç. Në anën tjetër ka zvogëlim të shkallës së natalitetit. Ka lindje shumë më pak dhe është rritë fuqia punëtore. Edhe niveli i edukimit, shkollimit, ka një ndryshim krahasuar më 2011, ka ulje të analfabetizmit, ka rritje të personave që kanë diplomuar”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.
Kastrati ka shtuar po të mos ishte ndikimi politik, serbët në veri të Kosovës do të kishin pranuar të përfshihen në regjistrim. Por, siç ka thënë ai, serbët janë kërcënuar nga Lista Serbe.
“Serbët me sa duket ka më shumë influencë politika te serbët sepse serbët lokalë po të mos ishte politika ndoshta do të merrnin pjesë sepse ka pasur thirrje nga Lista Serbe dhe një tjetër. Për dallim nga 2011, janë regjistruar diku mbi 6,000 persona në komunat në veri, më 2011 asnjë s’kemi pasur mundësi. Vetë serbët atje janë deklaruar se kemi presion nga politika, nga Lista Serbe dhe kanë pasur kërcënime, ne kemi raporte, që kanë qenë të kërcënuar të mos jenë pjesë e regjistrimit”, u shpreh ai.
Kastrati ka thënë tutje se Kosova ka rënie të shkallës së natalitetit dhe ngritje të migracionit, çka shkojnë në dëm të vendit. Sipas tij, Kosova mund të rrezikohet për të mbijetuar dhe nëse nuk rritet shkalla e lindshmërisë, ajo e vdekshmërisë do ta tejkalojë.
“Kosova është në rënie shumë të shpejtë edhe për shkak të zvogëlimit të shkallës së natalitetit dhe migracionit. Dy faktorë negativë, rënia është shumë më e shpejtë se sa pritet. Kosova në aspekt afatgjatë rrezikohet për të mbijetuar, nuk do të thotë do të jetë gjithmonë ashtu shkalla e migracionit, sepse kur nuk ka lindje nuk shkojnë se nuk ka kush të shkojë. Por, pritjet janë që shkalla e vdekshmërisë të rritet në dekadat në vijim. Pritjet janë që pas vitit 2030 Kosova në mos të ketë shtim natyror pozitiv do të balancohet me vdekjet, pastaj vdekjet do ta kalojnë pas vitit 2030. Nëse nuk ka rritje natyrore, ka sfida që vjen dikush të jetojë në Kosovë”.