Arbëri

Kasanof takon shoqërinë civile në veri

Alexander Kasanof

Ndihmës sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka qëndruar të premten në veri të Mitrovicës.

Ai ka takuar pjesëtarët e shoqërisë civile nga komuniteti serb, me të cilët ka biseduar rreth aktualitetit politik, situatës së përgjithshme në veri, si dhe tema tjera me interes për komunitetin, raporton KosovaPress.

Pas takimit që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, Kasanof nuk ka dashur të flasë për media.

Në anën tjetër, Jovana Radosavljeviq, drejtoreshë e Iniciativës së Re Shoqërore, ka thënë se kanë ngritur shqetësimin për arrestimin më të fundit të aktivistit politik Aleksandër Arsenijeviq dhe faktin, sipas saj, se popullit po i mohohet protestimi në mënyrë ligjore dhe paqësore.

“Ne ngritëm shqetësimin për arrestimin më të fundit të aktivistit politik Aleksandër Arsenijeviq dhe faktin se popullit po i mohohet protestimi në mënyrë ligjore dhe paqësore. Kemi diskutuar veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës të cilat shpërfillin nevojat e komunitetit lokal duke mbyllur institucionet dhe duke mos ofruar alternativa, flasim këtu për institucionet paralele siç quhen të sistemit serb dhe zhvendosjen e jetës së serbëve të Kosovës nga veriu në Serbinë Qendrore. Ne diskutuam hapat e përgjithshëm përpara... dhe cilat janë implikimet e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë”, ka thënë ajo.

Emisari amerikan të enjten ka takuar ndaras në Prishtinë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe sot ka takuar po ashtu liderët e opozitës në Kosovë.