Arbëri

Kasanof takon krerët opozitarë

Alexander Kasanof dhe Jeffrey Hovenier duke shkuar në Qeveri (Foto: Alban Bujari)

Foto: Alban Bujari

Zëvendëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka takuar liderët opozitarë të Kosovës të premten.

Në takim me zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova duhet të bashkërendohet me aleatët.

“Në takim ritheksova nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, e veçanërisht me SHBA-në. Kosova, si një storie suksesi është rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të besueshëm me miqtë e saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Takim më Kasanofin ka mbajtur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. 

“Kryetari Abdixhiku theksoi shqetësimin e LDK-së për raportin e dëmtuar të Qeverisë së Kosovës me SHBA-të, si dhe me partnerët e tjerë strategjikë politikë dhe të sigurisë. Kryetari Abdixhiku e siguroi z. Kasanof se, me formimin e qeverisë së re, të drejtuar nga LDK-ja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, riparimi i këtyre raporteve do të jetë çështje e prioritetit më të lartë”, thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook.

Abdixhiku thuhet se e ka njoftuar Kasanofin për ecurinë e përgatitjeve për fushatën parazgjedhore, për takimet me qytetarët gjithandej Kosovës, si dhe për shtyllat kryesore të programit politik “Rruga e re”. “Abdixhiku theksoi se partneriteti strategjik me SHBA-të në fushën e ekonomisë, të energjisë dhe të sigurisë është jetik për LDK-në dhe për Kosovën”, thuhet në njoftim.

E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se e vetmja rrugë përpara është partneriteti me SHBA-në.

“Mbështetja e fuqishme e ShBA-së ndaj popullit të Kosovës vazhdon përkundër vështirësive të panevojshme që i ka shkaktuar qeveria. E vetmja rrugë për të arritur synimet tona si shtet, është bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-të, si aleati ynë strategjik dhe i përjetshëm”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.