David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë kanë treguar se grindjet e kryeministrit Albin Kurti me amerikanë, e kanë dëmtuar deri në një masë partinë e tij - Lëvizjen Vetëvendosje.
Kanin ka deklaruar se nëse Kurti zgjidhet sërish kryeministër, nuk është e qartë nëse marrëdhëniet me SHBA-në do të bëhen më mirë.
“Por, është shumë e qartë se njerëzit përreth presidentit [amerikan, Donald] Trump, janë të pakënaqur me të, njësoj sikurse kanë qenë njerëzit përreth [ish-presidentit Joe] Biden”, ka thënë Kanin për REL.
Viteve të fundit, SHBA-ja disa herë i ka tërhequr vërejtjen Qeverisë së Kurtit për disa veprime në veriun e Kosovës, që ajo i ka konsideruar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Kanin ka vlerësuar se kushdo që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, do ta ketë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në mesin e sfidave të menjëhershme.
“Ishin zgjedhje ndryshe kësaj here. Serbët votuan dhe një përqindje u shkoi atyre. Po ashtu, grindjet e Kurtit me amerikanë nuk e kanë ndihmuar. Mendoj se e kanë dëmtuar deri në një masë, por jo edhe aq të madhe, sepse ky nuk është një rezultat katastrofik për të. Ai vazhdon ta ketë partinë më të madhe. Unë mendoj se amerikanët do të shtyjnë për një qeveri që do të jetë e bashkuar - nëse nga asgjë tjetër - nga vullneti për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo është ajo që ne amerikanët do të duam. Por, mendoj se është shumë herët të dihet se kush do të jetë kryeministër, sepse nuk e di se çfarë bisedash janë duke u zhvilluar mes partive të ndryshme, nëse janë duke u zhvilluar”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse Qeveria formohet pa Albin Kurtin, do të ketë marrëdhënie më të mira midis Kosovës dhe SHBA-së.
“Nëse Qeveria e re nuk është me Albin Kurtin, nëse është ndonjë lloj koalicioni pa Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë po. [I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për misione të posaçme] Richard Grenell e ka bërë të qartë se amerikanët e duan Kurtin jashtë. Një javë para zgjedhjeve, Grenell e ka bërë shumë të qartë pozicionin e amerikanëve. Do të jetë e vështirë. Nëse zgjidhet kryeministër, ai do të mund të thotë se ka mandat njësoj sikurse presidenti amerikan. Ai do të përpiqet të bashkëpunojë me amerikanët, ai do të thotë se është duke bashkëpunuar dhe për çdo gjë do t’i fajësojë serbët. Por, është shumë e qartë se njerëzit përreth presidentit [amerikan, Donald] Trump, janë të pakënaqur me të, njësoj sikurse kanë qenë njerëzit përreth [ish-presidentit amerikan, Joe] Biden. Pra, nëse Kurti mbetet kryeministër, nuk është e qartë nëse marrëdhëniet me SHBA-në do të bëhen më mirë”, ka shtuar ai.